Pupovci: Rezultatet e Testit të Maturës, më reale se në vitet e kaluara

20:00 | 30 Qershor 2015
M. A.

Rezultatet e sivjetme të Testit të Maturës janë më afër pasqyrimit të realitetit se në vitet e kaluara, ka thënë eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci.

“Në këtë ka ndikuar edhe administrimi i testit që ishte pak më i mirë këtë vit për të ndikuar që rezultatet të jenë më afër reales”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, lëshimet nuk kanë munguar as këtë vit

“Edhe sivjet ka pasur raste të kopjimit, të shpërndarjes së detyrave përmes rrjeteve sociale, gjëra këto cenojnë kredibilitetin e Testit të Maturës.”, tha më tutje ai, transmeton telegraf.

Sa i përket shkollave të mesme profesionale, Pupovci u shpreh se duhet të mendohet seriozisht nëse për këtë duhet të ketë Test të Maturës apo jo.

“Në shkollat e mesme profesionale rezultatet janë me të vërtet të dobëta në krahasim me ato të gjimnazeve, për faktin se ata përgatiten më shumë për tregun e punës se sa për studime.”, shtoi Pupovci.

Poashtu, ai përsëriti se është e rëndësishme që të përmirësohet cilësia e mësimit nëpër shkolla, meqë rezultatet e Testit të Maturës janë pasqyra e cilësisë.

“Hap tjetër i rëndësishëm është që të analizohen rezultatet e testit. Të shihen se ku janë pikat e dobëta, në cilat fusha kurrikulare, në cilat shkolla kanë performuar më dobët etj. Këto analiza mundësojnë të bëhen përmirësimet e nevojshme”, tha ndër të tjera analisti Pupovci.

Ndryshe, Komisioni Qendror Shtetëror ka bërë me dije se vetëm 53.9 për qind e maturantëve e kanë kaluar Testin e Maturës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme