Prokuroria po i heton tri raste të vdekjeve të dyshimta, QKUK thotë se janë vetëm dy

17:24 | 19 Shtator 2017
M. A.

Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po insistojnë se janë vetëm dy pacientë, vdekja e të cilëve po cilësohet si e dyshimtë. Ndërkohë që prokuroria e shtetit zyrtarisht ka njoftuar se lidhur me këtë rast po i heton tri raste. Edhe Mjekësia Ligjore ua ka bërë analizën e obduksionit tre personave, që kanë qenë pacientë në QKUK dhe tashmë kanë vdekur.

Nga 17 operacione të zhvilluara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më datën 7 shtator, tre pacientë kanë vdekur. Njëri në sallën e operacionit ndërsa dy të tjerët më pas. Organet e hetuesisë vendore tashmë kanë nisur hetimin për të zbardhur rrethanat që kanë çuar në vdekjen e këtyre tre pacientëve.

Hetimet e para si shkaktar gjejnë gazin medicinal Oksidull (N20), me të cilin QKUK është furnizuar nga kompania “Bubeari Komerc”.

Por, pavarësisht se Prokuroria e Shtetit zyrtarisht ka deklaruar se janë tri raste që po hetohen tash e një javë, QKU’ja vazhdon të insistojë se janë vetëm dy pacientë të cilët kanë vdekur në rrethana ende të pasqaruara më datën 7 shtator, në këtë institucion.

“Nga 17 operacione, një pacient ka vdekur në sallë, një më vonë, gjashtë të tjerë kanë përfunduar me simptoma e komplikime pas operacionit. Rastet e tjera kanë shkuar mirë. Për dy raste të dyshimta po merret prokuroria e shtetit, është bërë autopsia, shpresojmë t’i kemi rezultatet finale”, thuhet në përgjigjen që zyrtarë nga QKU’ja i kanë dhënë të martën Gazetës Express.

Edhe nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me urdhër të prokurorisë, të premten që shkoi u është bërë analiza tre personave, pacientë në QKUK të cilët kanë ndërruar jetë më datë 7 shtator. Analizat për të njëjtit ende nuk kanë dalë dhe sipas drejtorit të këtij instituti, duhet kohë, deri tek rezultati final.

“Analizat ende nuk janë dërguar jashtë vendit. Marrin kohë për t’u ditur rezultatet”, ka thënë Gerxhaliu të martën për Express.

E në anën tjetër edhe prokuroria e shtetit, po deklaron se janë duke i hetuar tri vdekje të dyshimta për të cilat edhe ka dhënë urdhër që të zhvarrosen.

“Në kuadër të hetimeve dhe me qëllim të ndriçimit të rastit, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë zhvarrimin e tri kufomave, vdekja e të cilëve është cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe pastaj ta bëjë autopsinë ku do të konstatohet shkaku i vdekjes se tyre”, kanë bërë të ditur ditë më parë zyrtarë të prokurorisë në Prishtinë.

QKUK: Ende nuk dihet shkaktari i saktë i vdekjeve të dyshimta

Mirëpo pavarësisht se dyshimet fillestare për shkaktarin e këtyre vdekjeve bien mbi këtë gaz medicinal Oksidull (N20), QKUK thotë se ende nuk dihet shkaktari i saktë për këto raste.

“Sipas të gjitha hulumtimeve deri tash, nuk kemi shkaktarë të sigurt, as ne, as prokuroria, as mjekësia ligjore, për momentin janë vdekje të dyshimta. Nuk shihet se ka neglizhencë, janë pretendime nga akterë të ndryshëm që mund të ngrisin çështje. Është shikuar nga aspekti i aparaturave që bënë përzierjen e gazit, aparatura nuk lejon të gabohet, por edhe nëse gabohet, ose tekniku lëshon sasi të madhe osksidulli, sistemi i valvulave nuk lejon me futë sasi të gazrave më shumë, aparatura është e tillë, pra nuk mund të quhet neglizhencë”, thuhet tutje në përgjigjen e këtij institucioni shëndetësor.

Por ajo çka deri më tani dihet nga ana e organeve të hetuesisë është se dyshimet e para kanë të bëjnë me gazin medicinal Oksidull (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë. Për këtë çështje, ditë më parë është intervistuar pronari i kompanisë “Bubeari Komerc”, i cili dyshohet se e ka prodhuar këtë gaz.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme