Google ADS

Thaçi e Pacolli dhjetëra takime gjatë pesë ditëve në New York

09:17 | 19 Shtator 2017
arbresh.info

President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në delegacionin e Kosovës është edhe zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Me   ftesë  të  Presidentit  të   Shteteve   të   Bashkuara  të   Amerikës,  Donald   Trump, dhe   Zonjës  së   Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës, Lumnjije Thaçi, do të priten nga çifti presidencial Trump.

Gjatë vizitës, pritet që Presidenti Thaçi të ketë një takim te shkurtër me Presidentin Trump.

Gjatë vizitës pesëditore në New York, presidenti Thaçi dhe zëvendëskryeministri Pacolli, do të zhvillojnë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Të martën, presidenti Thaçi do të takojë Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, në margjina të sesionit të 72 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York, raporton arbresh.info.

Në agjenden e presidentit Tusk, bëhet e ditur se sipas kohës lokale, më 19 shtator nga ora 10:30, pas hapjes së punimeve të Asamblesë, takimin e parë do ta zhvillojë me presidentin Thaçi.

“Është një mundësi e mirë që të shfrytëzohet kjo javë në Neë York për takime të shumta të cilat janë të konfirmuara me presidentë të vendeve të ndryshme, me kryeministra, por edhe me ministra të jashtëm të vendeve të gjithë botës,” është shprehur Presidenti Thaçi javën e kaluar në RTK, transmeton arbresh.info.

Është edhe takimi i organizuar, dhe pritja nga Presidenti, Donald Trump, dhe sipas Thaçit do të jetë një mundësi e mirë edhe për autoritetet e OKB-së, duke paralajmëruar agjendë të ngjeshur diplomatike.

“Pra do të ballafaqohem me një agjendë shumë të ngjeshur të takimeve të ndryshme me udhëheqës të delegacioneve të shteteve të ndryshme, në veçanti me ato që nuk e kanë njohur, që të kërkojmë njohje, ato që e kanë njohur t’i falënderojmë për vazhdimin e mbështetjes, kështu që do të jetë një agjendë e ngjeshur diplomatike,” ka deklaruar Presidenti Thaçi.

Ata do të marrin pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politkë të Sigurisë, Federica Mogherini./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme