Korenica: Nuk mendoj se duhet zhdukur Izraeli, por duhet ndërruar pushteti i atij vendi

00:03 | 19 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Rahovecit, Visar Korenica, në një bisedë në Interaktiv të KTV-së, foli për deklaratën e tij të bërë në Facebook ku ka folur kundër shtetit të Izraelit dhe politikave të tij ndaj Palestinës.

Korenica tha se nuk mendoj se “duhet të zhduket Izraeli, por mendoj se politikat e këtij shteti nuk duhet të jenë të tilla siç janë ndaj palestinezëve”.

“Nëse dikush është ndier i fyer, ju kërkoj falje publike. Them se jam kundër çdo persekutimi në një vend ku nuk garantohet e drejta për të jetuar”, tha ai, duke deklaruar se nuk e ndien veten anti-semitist, raporton Koha.net.

“Nuk është menduar se duhet zhdukur Izraeli, por se secili regjim e ka jetëgjatësinë e vetë. Pra, e kam menduar që duhet ndërruar ky regjim, por jo edhe populli”, deklaroi Korenica.

“VV e mbron të drejtën e palestinezëve për të ekzistuar si shtet. E kemi biseduar edhe me qendrën. Ka qenë një moment emocional. Ka qenë deklaratë para se të hyja në Vetëvendosje”, theksoi kandidati i VV-së për Komunën e Rahovecit.

Ndërkaq, ai u sqarua edhe për deklaratën e tij të bërë për një rast të dhunës së një profesori ndaj një nxënësi.

“Unë thjeshtë e kam shprehur përkrahjen ndaj profesorit në fjalë, sepse e kam pasur profesor. Por, nuk e arsyetoj dhunën, sepse edhe unë kam fëmijë. Për mua ka qenë e papranueshme fyerja ndaj një institucioni, apo në këtë rast ndaj një profesori”, tha ai.

Korenica deklaroi se e ka mbyllur faqen e tij në Facebook “përkohësisht” sepse, siç tha ai, “po tentohet të manipulohet me deklaratat e mia”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme