Google ADS

KDMLNj vizitoi dy të miturit që po dyshohen për vrasjen e Aulon Zekës

14:33 | 18 Shtator 2017
M. A.

Monitorues të KMDLNj-së, në kuadër të mandatit të tyre vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë pas njoftimit se janë arrestuar personat të cilët dyshohen se kryen vrasjen e Aulon Zekës.

Ndërkaq në komunikatën e dërguar thuhet se G.H , 16 vjeç, ka pohuar se ishte arrestuar të dielen më 17.09.2017, në Prishtinë. Tutje ai u ka thënë KMDLNj – së, se sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë shumë korrekte dhe nuk pati asnjë vërejtje.

Në Qendrën e Ndalimit ai është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe nuk pati vërejtje për sjelljen e stafit.

Po ashtu edhe e ndaluara R.G , 15 vjeçe , u arrestua të dielen më datë 17.09.2017 pas orës 23 teksa në fillim është arrestuar si dëshmitare pastaj si e dyshuar për vrasje. Ajo gjithashtu ka pohuar se ndaj saj ka pasur sjellje të mira dhe nuk pati asnjë vërejtje as në sjelljet e Policisë së Kosovës gjatë arrestimit, marrjes në pyetje por as ndaj sjelljes së stafit të Qendrës së Ndalimit, thuhet në njoftimin e dërguar.

KMDLNj bën të ditur se të dy të ndaluarit janë njoftuar me të drejtat që u takojnë dhe aktualisht kanë të angazhuar edhe mbrojtës.

Ndaj të ndaluarve është respektuar detyrimi ligjor që dëshminë ta japin në prani të mbrojtësit , prindit apo kujdestarit.

Monitorues të KMDLNj-së vlerësojnë se gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë ndaj dy të arrestuarve të mitur, nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria.

KMDLNj vlerëson lartë punën korrekte të zyrtarëve policorë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë përkundër kushteve jo-adekuate për punë dhe kërkon nga Ministri për Punë të Brendshme dhe Drejtori i Policisë së Kosovës të sigurojnë kushte më të mira për oficerët e policisë në këtë qendër si dhe për personat e ndaluar po ashtu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme