Dy kosovarë kapen në Rumani me dokumente të falsifikuara – po përpiqeshin të shkonin në Zvicër

23:18 | 17 Shtator 2017
Arbresh.info

Policia kufitare në qarkun e Aradit, në Rumani, ka kapur dy burra nga Kosova, në përpjekje për t’u larguar nga vendi me dokumente të falsifikuara.

Në pikëkalimin kufitar në Kurtish, më 15 shtator, në orën 01:00, dy meshkujt, që po udhëtonin me trenin e linjës Timisoara-Budapest, kanë prezantuar dokumente identiteti bullgare, raporton glsa.ro.

Pas një kontrolli, rojat kufitare kanë vërejtur se dokumentet ishin të falsifikuara, ndërsa dy kosovarët janë çuar në stacionin më të afërt të policisë për t’u marrë në pyetje, përcjell Gazeta Express.

Pas verifikimeve, policia ka konstatuar se identiteti i vërtetë i dy personave është Nazmi B., 45-vjeçar, dhe Visar B., 37-vjeçar – që të dy shtetas të Kosovës.

Dy kosovarët u kanë thënë autoriteteve bullgare se i kanë siguruar dokumentet e falsifikuara nga Serbia, nga një person të cilit identitetin nuk ia dinë, për një shumë prej 2000 eurosh.

Ata kanë thënë se, nëpërmjet këtij mashtrimi me identitetet e tyre, kanë dashur të shkojnë në Zvicër, meqë nuk kanë pasur viza të vlefshme.

Ndaj dy kosovarëve, të cilëve u është ndërprerë rrugëtimi në gjysmë, autoritetet rumune kanë ngritur akuzat për përpjekje për kalim ilegal të kufirit shtetëror dhe për mashtrim me identitetin.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme