Google ADS

Legjislatura e gjashtë, legjislaturë e sharjeve dhe fyerjeve

08:29 | 17 Shtator 2017
Arbresh.info

Legjislatura e VI-të e Kuvendit të Kosovës është ‘pasuruar’ me deputetë të rinj. Të gjithë këta deputetë me marrjen e mandatit u betuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve.

Por, me fillimin e seancës së parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk u pa një gjë e tillë, shkruan arbresh.info.

Fjalori që filluan të përdorin disa deputetë që në seancën e parë pas konstituimit të Kuvendit ishte tejet banal sa që u krahasua me fjalor të rrugëve.

Ishte deputeti nga NISMA, Milaim Zeka ai që e nisi punën për herë të parë si deputet në Kuvendin e Kosovës me këtë fjalor, duke përdorur fjalë banale ndaj kolegëve të tij.

Ndonëse një gjest i tillë u dënua nga të tjerët ai potencoi se do të vazhdoj të flasë në të njëjtën mënyrë.

Analisti politik, Bajrush Morina, në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se ka frikë që kjo legjislaturë do të jetë e sharjeve.

“Nëse legjislatura e kaluar ka qenë “arenë” e fjalëve të ndyta (ma hangsh k…), e veve të paziera e të gazit lotsjellës, kjo legjislature kam frikë se do të jetë e sharjeve të fëlliqta (kam me ua q…nanen e nanes) e grushtave dhe e kacafytjeve “të gladiatorëve” që fatkeqësisht janë zgjedhur deputetë”, është shprehur ai.

Sipas tij me përbërjen që ka kjo legjislaturë nuk ka rregullore që e largon fjalorin e ndytë të deputetëve.

“Për mua nuk janë fajtorë ata që e kanë gojën e flliqtë, por ata që ia kanë “deleguar” në Kuvend. Ndërkaq me këtë Kuvend nuk ligj as rregullore që e largon këtë fjalor të ndytë sepse këta janë mbi ligjin, janë shkelësit e ligjit e të rregulloreve. Prandaj, prindër kujdes kur përcillni seancat e Kuvendit të Kosovës, do të ketë fjalor e pamje të rënda për fëmijët”, është shprehur ai.

Blerim Burjani, njohës i çështjeve politike, ka thënë për arbresh.info se në këtë legjislaturë shumë pak do të përmendet qytetari dhe interesi i tyre.

“Të gjitha të dhënat flasin se kjo legjislaturë do të jetë e ngjashme me atë të kaluarën. Do të ketë edhe fjalor të ngjashëm fyes, denigrues, sharje ndërmjet individëve, pra deputeteve, dhe shumë pak do të përmendet qytetari dhe interesi i tyre pasi që ideja kryesore është rrëzimi kësaj legjislature. Andaj edhe kjo legjislaturë është shumë e dobët si rezultat i asaj se partitë janë larg zhvillimit dhe demokratizmit”, ka theksuar ai.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka u ka thënë deputetëve të VV-së në seancën e javës së kaluar se nëse ‘PAN-i e paska kthyer kokën nga Beogradi, ju e keni kthyer b*** nga Beogradi’. Këto fjalë të Zekës, bën që Kadri Veseli t’ia ndërpres fjalën, duke paralajmëruar se më nuk do të lejoj fjalime të tilla.

Edhe në legjislaturat e kaluara, vëzhguesit e punës së Kuvendit janë ankuar për gjuhën fyese dhe jo korrekte të përfaqësuesve të popullit në seancat e Kuvendit./V.Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme