Raportet e këqija me Thaçin, a është kjo arsyeja që Hahn nuk vjen në Kosovë?

23:35 | 14 Shtator 2017
Arbresh.info

Komisionari për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe për Negociatat për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, do ta vizitojë Serbinë, të premten, një ditë pasi Kosovën e vizitoi një zyrtare tjetër e BE’së.

Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, Angelina Eichhorst, Zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese për Evropë dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane, por se duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara.

Nuk dihet nëse shkak i mosardhjes së Hahn në Kosovë janë sulmet që i kishte bërë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

I pari i Kosovës e kishte akuzuar gjatë muajit prill Hahnin se po merret vetëm me Serbinë.

“Federica Mogherini të paktën përpiqet të ruajë të njëjtën dinamikë në Ballkanin Perëndimor, derisa komisionari Hahn për fat të keq nuk është fare prezentë në Evropën Juglindore”, deklaronte Thaçi.

Presidenti i Kosovës kishte thënë se Hahn përkujdeset vetëm për Serbinë dhe për asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor, teksa kishte kërkuar një angazhim më të shtuar të BE-së në Ballkan, për të ulur ndikimin rus, i cili është duke u rritur.

Gjatë qëndrimit në Beograd, të premten, Hahn do të ritheksojë angazhimin e BE-së për integrimin e Serbisë në bllokun evropian, dhe mbështetjen e Brukselit për procesin e saj të reformave.

Ai do të diskutojë për gjendjen e procesit të anëtarësimit të Serbisë, si dhe për çështjet me prioritet, si krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale dhe zbatimi i agjendës së ndërlidhjes rajonale.

Hahn do të takohet më 15 shtator me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç; me kryeministren Ana Brnabiç; dhe me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç./Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme