Gjermania vazhdon mbështetjen për Kosovën në rrugën drejt BE’së

19:03 | 14 Shtator 2017
M. A.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka nisur sot zyrtarisht fazën e tretë të projektit “Përkrahje për Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë”, financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Ambasadori në detyrë i Gjermanisë, Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së dhe Drejtori i Vendit i GIZ gjithashtu iu bashkëngjitën kësaj ngjarjeje, bën të ditur MIE, nëpërmjet një njoftimi.

Në fjalën e saj, Ministrja Hoxha tha se projekti GIZ do të mbështesë më tej MIE-në drejt zbatimit me prioritet të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe në përgatitjen e administratës për aplikimin e ardhshëm për anëtarësim në BE.

Ambasadori në detyrë i Gjermanisë, Jan-Axel Voss, vuri në pah se Qeveria e Gjermanisë ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për integrim në BE që nga fillimi; si politikisht ashtu edhe financiarisht. Ai theksoi se reformat evropiane janë jetike jo si qëllim në vetvete, por si një mjet për të krijuar një ekonomi demokratike tregu që i shërben nevojave të popullit, thuhet në njoftimin e MIE.

“Projekti GIZ ka mbështetur MIE në punën e saj për të planifikuar, koordinuar dhe monitoruar në mënyrë efektive procesin e integrimit evropian që nga vera e vitit 2011. Së bashku me masat për ngritjen e kapaciteteve, ky intervenim ka kontribuar në mandatin e zgjeruar të MIE-së. Për më tepër, projekti ka ofruar asistencë për Kuvendin e Republikës së Kosovës në forcimin e kapaciteteve të tij mbikëqyrëse të procesit të Integrimit Evropian. Faza e re e projektit ka një volum total prej 2.8 milionë eurosh dhe do të vazhdojë deri në qershor 2020”, thekson MIE.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme