Google ADS

Thaçi nënshkroi marrëveshjen 49-milionëshe me MCC-në

11:57 | 13 Shtator 2017
L G

Me këtë rast, Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për ish Presidenten Jahjaga dhe ish-Kryeministrin Mustafa, për mbështetjen e tyre për MCC-në.

Duke e vlerësuar si një ditë feste, presidenti Thaçi tha se është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kjo Marrëveshje të cilën unë po e nënshkruaj sot me udhëheqësin në detyrë të MCC-së, z. Nash, është një instrument, por unë shpresoj që shumë më shumë instrumente mund të zhvillohen me mbështetjen e MCC-së, dhe do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë në Kosovë. Kështu, sot ne festojmë këtu në Kongresin e SHBA-ve, me miq të Kosovës, por ne gjithashtu premtojmë se do të fillojmë të punojmë që nga nesër për ta bërë këtë Marrëveshje një arsye për festim edhe për mijëra njerëz në Kosovë”.

Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së, Jonathan Nash tha se MCC-ja u ndihmon qeverive të lidhin disa nga njerëzit më të varfër në botë me vende pune, tregje dhe mundësi.

“Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit”, tha ai.

Ndërkaq kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel tha se, “Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi”.

Kurse, Petrit Selimi koordinator nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes “Threshold” është fundi i procesit të zhvillimit të projekteve, por gjithashtu shënon fillimin e një mundësie të re emocionuese për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të bashkëpunuar në rregullimin e disa prej kufizimeve më të rëndësishme drejt rritjes në Kosovë. “Ne me padurim presim të shohim fillimim e projekteve në terren dhe të sjellin rezultate që do të ndihmojnë Kosovën në trajtimin e efikasitetit energjetik, korrupsionit dhe qeverisjes së mirë, si dhe ndotjen e ajrit”.

Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme