KQZ decertifikon 86 kandidatë të dënuar nga Gjykatat (VIDEO)

14:51 | 12 Shtator 2017
Arbresh.info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin për decertifikimin e 86 kandidatëve me Aktgjykim të formës së prerë nga Gjykatat e Republikës së Kosovës në tre vitet e fundit, e që kanë garuar për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Rekomandimi është miratuar me 8 vota për, 1 abstenim dhe 1 kundër pas një diskutimi të gjatë mes anëtarëve të KQZ-së.

Ata kanë shprehur pakënaqësitë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme i cili siç thanë, kërkon që të bëhet decertifikimi i këtyre kandidatëve ndonëse shumica prej tyre kanë bërë shkelje të vogla siç janë ato në komunikacion, shkruan arbresh.info.

Betim Gjoshi tha se Ligji po i fut në thes të gjithë pavarësisht llojit të dënimeve apo veprave penale që kanë kryer.

“Ligji është i padrejtë dhe nëse Kosova duhet të miratoj një Ligj duhet të jetë Ligji për Zgjedhjet ai që duhet të ndryshoj. Jemi para rrugës që duhet ta respektojmë nj Ligj që është në fuqi pavarësisht se a është i drejtë apo jo. Ligji është arbitrar dhe neve na ka rënë hise që ta zbatojmë me apo pa dëshirën tonë”, ka thënë Gjoshi, shkruan arbresh.info.

Adnan Rrustemi tha se në listën e kandidatëve që duhet të decertifikohen ka edhe shumë nga ata që po penalizohen nga disa veprime që burojnë nga pakujdesia.

“Në mesin e kësaj liste ka shumë raste që po penalizohen nga disa veprime që më shumë burojnë nga pakujdesia siç janë aksidentet në komunikacion. Rastet që janë të dënuar për shkak të komunikacionit e që janë për shkak të gjobave të ulëta të mos largohen nga lista”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se të gjithë kandidatët e decertifkuar kanë të drejtë që brenda 24 orëve të parashtrojnë ankesë në PZAP ndërkaq subjektet politike prej nga vijnë këta kandidatë kanë të drejtë që deri më 15 shtator të bëjnë zëvendësimin e tyre./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1537048129693607/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme