Mali i Zi do të paguajë rreth 1.35 milionë euro kompensime për viktimat e krimeve të luftës të kryera në territorin e tij në vitet 1990, ndërsa vazhdon përpjekjet për të përmbushur kërkesat e pranimit në BE mbi drejtësinë.
Një raport i ri qeveritar mbi ecurinë e negociatave të Malit të Zi me BE-në, të cilin BIRN e ka siguruar, thotë se vendi do të paguajë një total prej 1,35 milion euro kompensim për viktimat e krimeve të luftës.
Shuma do të rritet me 128,530 euro nëse tetë raste pretendimesh për kompensim që janë aktualisht para gjykatave mbyllen këtë vit, thuhet në raport, i cili trajton negociatat mbi Kapitullin 23 të legjislacionit europian që Mali i Zi duhet ta miratojë – pjesën mbi drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Raporti thotë se kompensimi tashmë është miratuar në 145 raste të paraqitura para gjykatave në Mal të Zi gjatë viteve të fundit.
Kërkesat për kompensim u paraqitën në disa qytete malazeze nga viktimat apo familjet e tyre në rastet e krimeve të luftës ku përfshiheshin torturë dhe vrasje të civilëve, si myslimanë ashtu edhe kroatë në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Në të gjitha këto raste, të akuzuarit u liruan nga akuzat në vendimet përfundimtare të gjykatave, përveç katër ish-rezervistëve të Ushtrisë Popullore Jugosllave të cilët u dënuan me një total prej 12 vjetësh burg për abuzim të të burgosurve kroatë në kampin e ndalimit në Morinj, pranë Kotorit – edhe pse burrat e dënuar ishin në nivelin më të ulët në zinxhirin e komandës.
Në çështjen Morinj, kompensimi u pretendua nga 250 ish të burgosur të kampit nga Kroacia, të cilët do të paguhen me pothuajse një milion euro.
Avokati Velija Muriq, i cili përfaqësonte shumicën e familjeve të viktimave në një çështje ku përfshiheshin dëbimet e myslimanëve, si edhe në rastet e Bukovicës dhe Kalidjersi Lazit, tha për BIRN se lajmërimi për kompensim s’mund ta ndryshojë përshtypjen se autoritetet malazeze nuk bënë mjaftueshëm për të trajtuar krimet e luftës.
Muriq tha se edhe pse janë dhënë vendime përfundimtare, asnjë nga këto çështje s’do të jetë kurrë e plotë derisa të gjenden dhe të ndëshkohen ata që urdhëruan dhe organizuan krimet.
“Të gjitha këto raste duhet të konsiderohen ende si në vazhdim e sipër, sepse ata që u nxorën para gjykatës ishin thjesht ekzekutuesit e krimeve,” tha Muriq.
Në vitin 2008 Qeveria e Malit të Zi nënshkroi një marrëveshje gjyqësore me familjet e boshnjakëve që u dëbuan dhe vranë në vitin 1992.
247 viktimat e krimit ose të afërmit e tyre morën gjithsej rreth pesë milionë euro.
Në vitin 2010, Mali i Zi filloi të paguante një pjesë të dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga rezervistët e Ushtrisë Popullore Jugosllave për qytetarët e Kroacisë gjatë sulmit të vitit 1991 në Dubrovnik.
Vetëm në një rast Mali i Zi pagoi 30,000 euro kompensim për një burrë nga Dubrovniku për varkën e tij e cila u vodh në vitin 1991.
Mali i Zi shpesh është kritikuar se nuk ka bërë përpjekje serioze për të trajtuar rastet e krimeve të luftës, edhe pse prokuroria tha se kishte nisur disa hetime të reja në vitin 2016.
Raporti më i fundit i progresit vjetor i BE-së për Malin e Zi, i publikuar nëntorin e kaluar, tha se vendi po bënte ende progres të ngadalshëm në ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, thuhej në raportin e BE-së, shërbimi i prokurorisë së Malit të Zi duhet të tregojë një qasje më proaktive në ndjekjen e akuzave për krimet e luftës.
“Vendimet gjyqësore të marra deri më tani kanë pasur gabime ligjore dhe mangësi në zbatimin e ligjit humanitar ndërkombëtar”, thoshte raporti.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...