Google ADS

Rama: Marrëdhëniet me Greqinë nuk janë të mira

23:50 | 8 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Kryeministri Rama ka pranuar sot në një intervistë për Lutfi Dervishin dhe TVSH se Shqipëria ka probleme me fqinjin e saj jugor, Greqinë.

Ai madje u është përgjigjur edhe kërcënimeve të Athinës për gjuhën e kryeministrit ndaj tyre. Rama tha se Shqipëria do të bëjë çmos që ta qetësojë fqinjin.

Intervista

Qëndrojmë pak te raporti me fqinjin tonë jugor. Pak ditë më parë zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke e ka kërcënuar kryeministrin dhe I ka thënë t’i vëri gishtin kokës se do të bllokosh integrimin e Shqipërisë me sjelljen që ke. është ky kërcënim serioz?

“Nuk dua të hyj në polemikë në lidhje me këtë marrëdhënie të vështirë, aq më tepër duke pasur parasysh që arsyeja e këtyre lloj deklaratave është krejtësisht e paimagjinueshme, por me siguri do të bëjmë çmos që fqinjët tanë të qetësohen dhe të kuptojnë që në Shqipëri ka vetëm respekt për fqinjësinë dhe për të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, si qytetar të këtij vendi me një kombësi tjetër”.

Kur ju thoni se do të bëni çmos, keni parasysh mekanizma reagues, do të sqaroni Athinën? Do të sqaroni Brukselin? Do të hapni bisedime?

“Do të bëjmë çmos me shembuj konkret të kujdesit, të vëmendjes, të mirëkuptimit me minoritetin grek në Shqipëri, që për mua dhe për ne është një pasuri e madhe. Ata janë qytetarë të barabartë të këtij vendi dhe janë pa diskutim një prani më shumë se sa e dëshiruar në këtë vend. Për fat të keq në këtë marrëdhënie ka shumë interferenca, ka axhenda politike jo dashamirëse, që në një mënyrë ose në një tjetër, dezinformojnë, manipulojnë, instrumentalizojnë edhe nivelet më të larta në Athinë”.

Në programin e parë qeverisës keni deklaruar Greqinë partner strategjik…

Ka qenë, ka qenë…

Ju përmendët këto axhenda. Po çfarë nuk shkon. E ka Shqipëria luksin të mos ketë marrëdhënie normale me një fqinj të rëndësishëm?

Shqipëria nuk e ka luksin të bëjë sikur marrëdhëniet janë normale, kur marrëdhëniet kanë probleme. Por ne jemi në një proces bashkëbisedimi me fqinjët tanë për t’i sheshuar gjërat që i kanë penguar këto marrëdhënie të jenë të lira dhe të funksionojnë shumë më mirë si marrëdhënia prej të cilave varet një pjesë e rëndësishme e qetësisë dhe e mirëqenies të njerëzve në të dy anët e kufirit jugor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme