Përgjigjja e shumëkritikuar e Donald Trump ndaj dhunës së neonazistëve dhe supremacistëve të bardhë në Charlottesville të Virxhinias muajin e kaluar ishte një shembull sesi presidenti po e ngrinte në nivel këtë çështje, ka thënë ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon.
Në pjesëza të intervistës së dhënë për programin “60 minutes” në “CBS”, që pritet të publikohet e plotë të dielën, Bannon ka thënë gjithashtu se kryekëshilltari ekonomik i Trumpit, Gary Cohn duhet të dorëhiqet, ndërsa e quajti të tmerrshme edhe kishën katolike për shkak të qëndrimit ndaj çështjes së emigrantëve, siç edhe për të ardhmen e “ëndërrimtarëve” (referuar programit për mbrojtjen e emigrantëve të rinj të administratës Obama).
Një kundërprotestuese mbeti e vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur në Charlottesville, pasi u shtyp nga një makinë e drejtuar nga një supremacisti bardhë. Trump tha se fajtorë për trazirat ishin të dyja palët, e u tregua i ngadaltë në dënimin e organizatorëve të ngjarjes, supremacistëve të bardhë, një protestë kundër planeve për heqjen e statujës së gjeneralit të Konfederatës, Robert E. Lee.
Trump i dënoi me vonëse militantët supremacistë, e megjithatë këmbënguli se mes pjesëmarrësve të mitingut të tyre “pati disa njerëz të mirë”. Më vonë qortoi edhe heqjen e statujave të udhëheqësve të Konfederatës.
Deklaratat e Trump shkaktuan irritime në mbarë vendin, e mbi të gjitha edhe mes vet republikanëve.
Bannon thotë se ishte i vetmi mes stafit të Trump që doli në mbrojtje pa mëdyshje të presidentit, ndërsa i kishte thënë shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, se kjo ishte tepër e rëndësishme.
“Isha i vetmi person që tha se, presidenti po fliste për diçka që do ta ngrinte në nivel rëndësie”, thotë Bannon.
“Ajo që po përpiqej të thoshte presidenti ishte se njerëzit që mbështesin monumentet po qëndronin atje në mënyrë paqësore, sikurse njerëzit që e kundërshtonin protestën e tyre. Gjithçka tha Donald Trump ishte pikërisht se deri ku do të shkonte kjo histori: deri në rrëzimin e monumentit të Uashingtonit? Apo do të përfundonte me nxjerrjen e bustit të Churchillit jashtë Zyrës Ovale?”, thotë më tej ai.
“Problemi im, – dhe këtë ia kam thënë edhe gjeneralit Kelly, – ishte se kur vihesh në anën e dikujt, ti qëndron gjithmonë në krah të tij. Jam krenar që dola dhe u përpoqa të mbroja presidentin Trump në media atë ditë”.
Bannon u largua nga Shtëpia e Bardhë në fund të gushtit dhe është rikthyer në krye të faqes së internetit të ekstremistëve të djathtë, “Breitbart News”, të cilën e drejtonte edhe përpara se t’i bashkohej ekipit të Trumpit. Tashmë që është jashtë qeverisë, ai thotë se do të jetë krahu i djathtë i jashtëm i presidentit gjatë të gjithë kohës, për ta mbrojtur atë nga gjithçka. Kjo sepse “objektivi ynë është të mbështesim Donald Trumpin, e për t’u siguruar se armiqtë e tij duhet ta dinë se nuk është një objektiv i lehtë për t’u goditur”.
Megjithatë, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan – republikani më i lartë në Kongres, – një kritik i shpeshtë i presidentit, nëse nuk mund ta quajmë armik i plotë, tha për “New York Times” të enjten se sipas besimit të tij, Trump ishte lodhur nga neonazistët dhe supremacistët e bardhë që marshuan në Charlottesville. “E di që ndihet i neveritur nga këta persona, – tha Ryan. – Kjo sepse fëmijët e tij dhe nipërit e tij janë hebrenj”.
Ryan tha se besonte që Trump bëri deklaratat e duhura ndaj ngjarjeve në Charlottesville kur dënoi supremacistët e bardhë me emër, por jo kur u tërhoq nga ky pozicion dhe hodhi shenjën e barazimit mes neonazistëve marshues dhe protestuesve kundër tyre.
Bannon ka dënuar gjithashtu rrjedhjet e informacioneve nga Shtëpia e Bardhë. Ndaj thotë se “nëse dikush vendos të dalë kundër Trumpit, atëherë më mirë të dorëhiqet. Sigurisht që jam duke folur për Gary Cohn dhe disa të tjerë. Nëse ata nuk e pëlqejnë atë që po bën Trump, apo nuk bien dakord, atëherë e kanë për detyrim të dorëhiqen”./tch
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...