Google ADS

Pritet aktakuzë kundër grupit të Adem Grabovcit për rastin e përgjimeve

20:47 | 7 Shtator 2017
Arbresh.info

Prokuroria Speciale pritet të ngrit aktakuzë kundër Adem Grabovcit dhe të tjerëve. Mes tyre edhe kundër Besim Beqajt. Aktakuza pritet të ngritët brenda këtij vitit.

Megjithatë, Beqaj po synon ta zë pozitën e ministrit të Financave.

Anëtari i PDK-së që merr pesë paga dhe dyshohet për korrupsion, po synon që të vihet në krye të Ministrisë së Financave.

Besim Beqaj, është deklaruar publikisht që nëse i ofrohet mundësia, do të pranonte postin e ministrit.

Por, Beqaj pritet që brenda këtij viti të akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të të drejtave të barabarta të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Burime nga Prokuroria i kanë thënë Insajderit se Beqaj, ish ministër i Zhvillimit Ekonomik, së bashku me Adem Grabovcin, Zenun Pajazitin, Ilhami Gashi, kryetarin e Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziun, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashin dhe ish-shefen e Divizionit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, pritet të akuzohen lidhur me veprimet e tyre të paligjshme të zbuluara pas publikimit të përgjimeve vitin e kaluar.

Këto veprime, dyshohen se i kanë kryer mbi bazën e dallimit politik dhe dallimeve tjera, duke u dhënë përparësi dhe privilegje individëve – personave të caktuar për punësim nga radha e PDK-së, si dhe kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për përzgjedhjen e kandidatëve nga radha e PDK-ës në Borde të ndryshme të ndërmarrjeve publike, duke diskriminuar – mohuar të drejtat e personave të tjerë, në kuadër të kushteve të barabarta të cilat janë paraparë me ligj.

“Brenda këtij viti pritet të ngritët aktakuzë kundër Adem Grabovcit dhe të tjerëve. Hetimet thuajse janë në përfundim dhe pritet të finalizohen me aktakuzë”, ka thënë një burim nga Prokuroria.

Prokuroria nuk ka folur zyrtarisht për detajet e hetimeve. Megjithatë ka garantuar se zgjedhja e Beqajt ministër nuk mund të ndikojë në hetime.
“Ju informoj se emërimi eventual në qeveri i ndonjë personi që është në hetime nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në hetimin e prokurorisë”, ka thënë Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë.

“Rasti ‘Grabovci është akoma në hetime dhe për momentin nuk mund të deklarohemi për mënyrën e përfundimit të hetimit”, ka shtuar ajo.

Insajderi kishte zbuluar detaje të hetimit të zgjeruar kundër këtyre zyrtarëve. Prokuroria dyshon Grabovci në bashkëveprim me zyrtarë tjerë të PDK-së, në mënyrë të kundërligjshme kanë mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e personave të Republikës së Kosovës në punësim, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike. /Insajderi.com/.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme