Google ADS

Kuvendi ka një kërkesë për gazetarët

09:44 | 7 Shtator 2017
Arbresh.info

Kuvendi i Kosovës, në prag të mbajtjes së vazhdimit të seancës konstituive ka një kërkesë për gazetarët.

Kuvendi, nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se gazetarët nuk do të mund ta përcjellin seancën e sotme nga balloni i sallës së seancave plenare duke kërkuar mirëkuptimin e tyre, shkruan arbresh.info.

Ky vendim është marrë siç thuhet për shkak të paraqitjes së rrezikut permenanent për shembje për shkak të tejkalimit të peshës.

Lexoni të plotë njoftimin e Kuvendit:

Rritja e numrit të mediave në Kosovë kohëve të fundit, ka ndikuar në rritjen e numrit të përfaqësuesve medial të akredituar në Kuvend, e rrjedhimisht edhe në interesimin e tyre për të ndjekur seancat plenare të Kuvendit dhe aktivitetet e tjera.

Kuvendi është i përkushtuar tu krijojë përfaqësuesve të mediave hapësirë, qasje dhe lehtësira sa më të mëdha në përcjelljen e aktiviteteve të tij, por gjithashtu, mban edhe përgjegjësi për sigurinë e tyre gjatë qëndrimit në Kuvend.

Galeria (ballkoni) i sallës së seancave plenare, është i destinuar për kameramanë dhe fotoreporterë, si dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Megjithatë, kohëve të fundit Kuvendi ka toleruar qëndrimin në këtë hapësirë edhe për gazetarët, edhe pse kjo nuk është e paraparë në Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave e të publikut në punën e Kuvendit.

Tani, ky numër gjithherë në rritje i përfaqësuesve të mediave në këtë hapësirë, rrezikon të tejkalojë peshën e paraparë mbajtëse të saj, duke paraqitur rrezik permanent për shembje dhe njëkohësisht duke rrezikuar jetët e të pranishmëve.

Prandaj, në funksion të evitimit të këtij rreziku, si dhe në respektim të rregullores, gazetarët e akredituar mund të ndjekin punimet e seancave të Kuvendit nga hapësira e destinuar për ta (prapa sallës së seancave plenare), nëpërmjet televizorit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në ueb-faqen e Kuvendit.

Në galerinë e sallës së mbledhjeve plenare, ndërkaq, do të qëndrojnë kameramanët dhe fotoreporterët./arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme