Kosova e Shqipëria flasin për projekte strategjike

08:53 | 29 Qershor 2015
Arbresh.info

Ekspoforumi “Mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri” do të mbledhë sot në Prishtinë përfaqësues institucionalë të Kosovës dhe të Shqipërisë, kompani nga vendi e diaspora, si dhe donatorë, për t’i diskutuar objektivat strategjike të të dy vendeve dhe mënyrat e financimit të projekteve të përbashkëta, njoftoi Ministria e Diasporës.

Ekspoforumiti paraprin panairi, përkatësisht ekspozimi i prodhuesve nga diaspora në Kosovë dhe i ndërmarrjeve publike për zhvillimin e dy vendeve.

Gjatë forumit do të diskutohet për objektivat strategjike për sektorët e energjisë dhe të minierave, projektet strategjike me interes të përbashkët, metodat e financimeve, etj.

Në fund të punimeve, forumi do të dalë me konkluzione për mundësitë që ofron ky sektor, hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për stimulimin e tij dhe rolin e sektorit privat, me qëllim të promovimit të ideve inovative dhe krijimin e vendeve të reja të punës, thuhet në njoftim.

Ekspoforumi është bashkorganizim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Konfindustrisë, ndërsa mbahet ne hotelin “Emerald” në Prishtinë, me fillim në orën 10:00.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme