Google ADS

Zaev: Zero tolerancë për keqpërdoruesit e zgjedhjeve

17:53 | 6 Shtator 2017
Arbresh.info

Gjatë kohës së zgjedhjeve nuk do të lejohet frikësim dhe presion të administratorëve, pasi 0 tolerancë do të ketë për keqpërdorime eventuale zgjedhore. Ky ishte njëri ndër premtimet që kryeministri Zoran Zaev e dha në konferencën e sotme të organizuar nga MOST, në prag të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor. Zaev veç tjerash tha se qeveria e tij është duke punuar edhe për një sërë masash tjera, të cilat do të sigurojnë zgjedhje fer dhe demokratike.

“’Ndarja e shtetit nga partia’, është një fjalë e dhënë. Është një zotim, përcaktim dhe qëllim strategjik i qeverisë së re. Se sa seriozisht kemi vepruar si qeveri rreth kësaj, këtë e tregon vendosja e mekanizamave mbrojtëse, që është Plani 3-6-9, për implementimin e së cilës po punojmë me shumë energji. Mbajtja e zgjedhjeve fer dhe demokratike është një prioritet thelbësor i qeverisë. Egzistojnë edhe shumë masa tjera, të planifikuara, për afat të shkurtë, të mesëm dhe të gjatë, që do t’i ndërmarrim për ti mënjanuar mangësitë e realizimit të zgjedhjeve, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, ka thënë Zoran Zaev, kryeministër.

Në anën tjetër euroambasadori Samuel Zhbogar u shpreh se ata inkurajojnë partitë politike që ta shfrytëzojnë procesin e zgjedhjeve dhe për të treguar se Maqedonia është vend demokratik.

“Unë vetëm mund që t’i inkurajoj liderët politik, partitë e tyre që ta shfrytëzojnë procesin e zgjedhjeve për të riafiromuar dhe treguar angazhimin e tyre për vlerat demokratike dhe sundimin e së drejtës. Zgjedhjet tregojnë një hap të rëndësishëm për demokracinë në vend, por edhe një hap përpara për rrugën euroalantike…Rol kyesor në zgjedhje është edhe bashkëpunimi mes institucioneve, e veçanërisht Komisionin Shtetëror Zgjedhor”, ka deklaruar Samuel Zhbogar, shef i Delegacionit të BE-së.

Ndërkaq, drejtori i Asociacionit Qytetar “Most” si organizator i projektit “Ndarja e shtetit nga politika”, theksoi se kjo konferencë mbahet për të dytën herë dhe për shkak se Maqedonia gjendet në prag të zgjedhjeve lokale, ata kanë organizuar edhe një konferencë të këtillë në mënyrë që të diskutohet për mekanizmat që duhet të zbatuar, e që do të sjellin ndarje të shtetit nga partitë politike.

“Qëllimi i këtij projekti është që për një afat të shkurtë të ketë një kontribut për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, megjithatë edhe për afat të mesëm dhe afat pak më të gjatë, me qëllim që të identifikojmë rekomandime dhe masa të cilat do të sigurojnë efikasitet për ndarje të shtetit nga partia”, tha Darko Aleksov, drejtor i Asociacionit qytetar “Most”.

Nga “Most” bënë të ditur se nisma për një debat të këtillë është ndërmarrë pasi në raportet e OSBE/ODIHR nga vëzhgimi i zgjedhjeve në periudhën e viteve 2011-2016, është vërejtur shpërdorim i resurseve shtetërore, si dhe mosrespektimi i parimit të ndarjes së shtetit nga partitë politike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme