13 vite LSI, Kryemadhi: Qeveri e vogël, por me korrupsion të madh

12:47 | 6 Shtator 2017
Arbresh.info

Lëvizja Socialiste për Integrim sot feston 13 vjetorin e krijimit të saj.

Kryetarja e kësaj force politike Monika Kryemadhi dhe anëtarë të saj mbollën pemë në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë.

Në një prononcim për mediat kryemadhi tha se LSI solli ndryshime në jetën politike, por edhe tek rinia shqiptare.

“LSI u krijua si një forcë e re politike që solli ndryshime në jetën politike shqiptare jo vetëm në politikë por dhe rini sepse në thelb kishte rininë. Sot e kujtojmë këtë ditë themelimi me dashuri të madhe dhe përgjegjësi sociale ndryshe nga festat e zakonshme. Në këto 13 vite LSI u rrit si forcë politike, në të mirat e saj, sfidat e sakrificat që kaloi gjatë kësaj kohe. Jemi rritur e forcuar më shumë”, tha ajo.

Kryemadhi nënvizoi se edhe pse zgjedhjet e 25 qershorit ishin të deformuara, 225 mijë e 73 votues kanë qenë heronj që edhe përballë presionit dhe policisë së kriminalizuar i besuan LSI-së.

“Përgjegjësia sociale ka qenë motoja e LSI-së që në themelimin e saj. Grupi parlamentar do të jetë shumë aktiv, me nisma jo vetëm në shërbim të qytetarëve por do t’i shërbejë edhe qeverisë. Kemi një qeveri të vogël por jemi të bindur që do jetë me korrupsion të madh. Lufta e LSI-së do jetë frontale për të adresuar dhe zgjidhur problemet”, u shpreh Kryemadhi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme