Institucioni i Avokatit të Popullit i ka përcjellë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Komunës së Lipjanit, Raportin me rekomandime, përkitazi me të drejtën në arsim për personat e privuar nga liria, respektivisht, për mosrespektimin e afatit ligjor për fillimin e procesit mësimor në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, raporti është iniciuar sipas detyrës zyrtare, pas botimit të shkrimit me titull “Dështon sërish fillimi i mësimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan”, me 29 shtator 2016, në një nga gazetat ditore vendore.
Qëllimi i këtij Raporti, sipas IAP është tërheqja e vërejtjes për vonesat dhe mangësitë në lidhje me organizimin e procesit mësimor në Qendrën Korrektuese në Lipjan (QKL), në funksion të realizmit të të drejtës në arsim për të miturit që mbahen aty.
“Institucioni i Avokatit të Popullit(IAP), përkatësisht zyrtarët e MKPT në kuadër të mandatit të tyre për të inspektuar në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria (në pajtim me Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT)), kanë vizituar edhe QKL dhe kanë konstatuar se procesi mësimor për të miturit në QKL në vazhdimësi ka filluar me vonesë, ashtu siç është problematike mungesa e lëshimit të certifikatave dhe diplomave për të miturit –nxënës në QKL”, thuhet në njoftimin e IAP.
Sipas Avokatit të popullit, vonesat në fillimin e procesit mësimor dhe mohimi i të drejtës për vijimin e mësimit dhe përfundimin e shkollimit pas daljes nga QKL, janë në kundërshtim me Kushtetutën (nenin 47, parag.2), KEDNJ (nenit 2 të Protokollit Nr.1) dhe standardet e ndërtuara nga GJEDNJ, etj.
Mungesa e koordinimit mes institucioneve përgjegjëse, sipas Avokatit, ka çuar në dështimin e përmbushjes së obligimeve ligjore në lidhje me procesin mësimor për të mituri që mbahen në QKL. MASHT, sipas këtij raporti, ka dështuar që të kryej në kohë obligimet ligjore në lidhje me fillimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor për të miturit në QKL.
Në veçanti, sa i përket nxjerrjes së akteve nënligjore për këtë qëllim, përcaktimin e qartë të kompetencave në raport me DKA në Lipjan, ndarjen e mjaftueshme të buxhetit, sigurimin e numrit të mjaftueshëm dhe me kohë të mësimdhënësve.
Avokati i Popullit e konsideron të domosdoshme që MASHT dhe institucionet e tjera përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha veprimet me kohë, në pajtim me obligimet ligjore dhe kushtetuese, që këto praktika të mos përsëriten në të ardhmen.
“Avokati i Popullit i rekomandon MASHTI-it që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të ndërmerren masat e nevojshme për të nxjerr aktet nënligjore që përcaktohen me ligj, në lidhje me organizimin e procesit mësimor për personat e privuar nga liria, përfshirë edhe të miturit që qëndrojnë në QKL, duke adresuar nevojat e tyre. Në këtë kuadër është e nevojshme të ndryshohet edhe paragrafi 1 i nenit 4 të Udhëzimit Administrativ Nr.16/2011, të datës 30.12.2011, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për kërkesat për ndërrimin e profileve arsimore për nxënësit në QKL edhe jashtë afateve që aktualisht janë përcaktuar në këtë udhëzim’, thuhet në njoftimin e IAP.
Me akte nënligjore , sipas këtij raporti, duhet të adresohen qartësisht përgjegjësitë që i takojnë MASHT-it dhe komunave, në këtë rast Komunës së Lipjanit për mbarëvajtjen e mësimit në QKL.
IAP rekomandon që sipas nevojave, MASHT, në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit dhe ministritë relevante duhet të ndaj buxhetin për organizimin e procesit mësimor dhe angazhimin e mësimdhënësve në QKL, gjegjësisht edhe në qendrat tjera korrektuese.
Ndërkaq, Komunës së Lipjanit, Avokati i Popullit i rekomandon që pa vonesa të mëtejme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të miturit të pajisen me dokumentacion shkollor me rastin e lirimit nga QKL, duke u bazuar në Vendimin e Ministrit të MASHT Nr.294/01B të datës më 22 tetor 2012, si dhe në bashkëpunim me MASHT-in./Arbresh.info/
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...
Gjatë fundjavës priten reshje shiu dhe bore në Kosovë
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...