Kurti: Po të ishte VV në Qeveri, sot nxënësit do të merrnin kifle, qumësht e fruta falas

12:51 | 4 Shtator 2017
Arbresh.info

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit e Kosovës me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor.

Kurti ka thënë me këtë rast se fatkeqësisht, shkolla sot vuan mungesën e politikanëve që nxisin kreativitetin e nxënësve dhe angazhimin e mësuesit, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, po të ishte lejuar krijimi i qeverisjes nga Vetëvendosje, sot nxënësit do të merrnin kifle, qumësht e fruta falas.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

Sot është dita e parë e shkollës, dhe u uroj nxënësve, sidomos atyre që fillojnë klasën e parë, që ta përjetojnë me lumturi e gëzim këtë ditë të veçantë. Model i tyre nuk duhet të jenë injorantët që janë pasuruar me brutalitet, por ata që kanë sjellë përparim në shkencë, ekonomi, kulturë e shoqëri.

Në vizionin tonë shkolla dhe edukimi duhet të jetë rruga e përparimit tonë kombëtar, shoqëror e individual, dhe ashtu do të bëhet. Fatkeqësisht shkolla sot vuan mungesën e politikave që nxisin kreativitetin e nxënësit dhe angazhimin e mësuesit.

Shumë nxënës shkojnë në shkollë pa u ushqyer, dhe kjo ndikon në cilësinë e shkollimit të tyre. Po të ishte lejuar krijimi i qeverisjes së Lëvizjes, sot në gjithë Kosovën do të kishte filluar shpërndarja falas e kifleve, qumështit dhe frutave.

Megjithatë ajo ditë nuk është larg.

Edhe një herë, nxënës, mësues e prindër të nxënësve, gëzuar fillimin e vitit të ri shkollor, qoftë i mbarë për të gjithë ju!./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme