Google ADS

Lideri më i ri i një subjekti politik në zgjedhjet e 22 tetorit

08:35 | 3 Shtator 2017
Arbresh.info

Është lideri më i ri i një subjekti politik, dhe angazhimet i tij për të drejtat e qytetarëve të Luginës së Preshevës, që nga fatkeqësia vazhdojnë të migrojnë në Kosovës, ja kanë thinjur flokët.

26 vjeçari, thotë se nuk ka zyrë që nuk ka trokitur, dhe nuk ka lidership që nuk ka takuar për t’i dalë krah mijëra banorëve nga ajo anë për të zgjidhur problemin e kamotshëm, atë të identitetit.

Kushtrim Kadriu, në një rrëfim për arbresh.info me shqetësim të thellë shpreh statusin e pa definuar të shumë bashkëvendësve të shpërngulur për arsye politike në Gjilan.

Janë më shumë se një mijë luginas që nuk pajisen me dokumente të Kosovës, dhe të njëjtëve i janë fshirë identitetet edhe në Serbi.

“Problemi është politik”, thotë Kadriu, derisa tregon se asnjëherë nuk do ta humbë durimin dhe një ditë do të bëhet zgjidhja për këta qytetarë që po i mohohet e drejta elementare e lirisë për të patur identitetin e tyre, qoftë si banorë rezidentë, qoftë si qytetarë të Kosovës.

Mungesa e dokumenteve, po i pamundëson këtyre banorëve edhe shkollimin, trajtimin mjekësor, punësimin, që e meriton secili njeri.

Ai tregon për arbresh.info se ka patur familje shqiptare të ardhura nga Lugina e Preshevës, dhe që janë dëbuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë, por nuk ka dashur të bëjë publike se për cilat familje bëhet fjalë.

Si lider i Lëvizjes “Vatra”, Kadriu është zgjedhur vitin e kaluar, pas 10 viteve të kontributit në këtë subjekt politik.

Nga dhjetori i vitit 2014 drejton Zyrën për Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, pranë Zyrës së Kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe në vitin 2015 është zgjedhur kryetar i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar në Komunën e Gjilanit.

Lëvizja “Vatra” kërkon të marrë ulëse në Kuvendin Komunal të Gjilanit, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, përmes të cilave ata synojnë të ngrisin zërin e mijëra luginasve, që jetojnë në këtë komunë, për të drejtat e tyre./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme