Deputetët në pushim pa shkurtuar harxhimet

21:39 | 2 Shtator 2017
Arbresh.info

Deputetët shkuan në pushim pa e lehtësuar xhepin paraprakisht nga kompensimet e larta për shpenzime rrugore. Të hënën të zgjedhurit e popullit do të kthehen në vendet e tyre të punës dhe 71 prej tyre që jetojnë jashtë Shkupit përsëri do të fillojnë të dorëzojnë dëshmi udhëtimi. Në periudhën e kaluar në nivel vjetor janë harxhuar edhe mbi 1 milion euro nga paratë publike për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

Edhe pse Enti Shtetëror për Revizion në 3 raporte ka theksuar se këto shuma parash janë jorealisht të larta, Kuvendi nuk ndërmori gjë për ndryshimin e rregullave për pagesën e shpenzimeve rrugore. Deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm se këto para duhet të shfrytëzohen në mënyrë ekonomike dhe se ato mblidhen nga tatimpaguesit e një shteti të varfër, thotë Marjan Nikollov nga Qendra për Analiza Ekonomike.

‘Mjetet nga tatimpaguesit nuk shërbejnë për pasurim dhe nuk shërbejnë për të ardhura shtesë në fuqinë blerëse të funksionarëve, por realisht shërbejnë për mbulimin e disa shpenzimeve të caktuara, që do t’i bënin ata, duke kryer detyrën e tyre- deklaroi Marjan Nikollov, Qendra për Analiza Ekonomike.

Rregullat aktuale parashikojnë pagesën e minimum 30 për qind të çmimit për një litër benzinë për çdo kilometër të kaluar. Kjo do të thotë që një deputet që udhëton nga Ohri, për një ditë do të duhet t’i paguhen 6.400 denarë.

‘Sektori publik patjetër të jetë i barabartë me sektorin privat. Nuk guxon që në çfarë do lloj tregu, edhe pse këtu ka disa dështime në treg, nuk guxon të ketë të privilegjuar në treg. Nëse ka të privilegjuar në treg, atëherë kjo është thirrje për diskriminim dhe për deformim të vetë tregut- theksoi Marjan Nikollov.

LSDM-ja në fillim të gushtit propozoi katër alternativa që parashikojnë ose zvogëlimin e shpenzimeve rrugore, ose deputetët të kenë bujtinë në Shkup, për çka gjithashtu do të merrnin kompensim. Priten qëndrimet e grupeve tjera parlamentare, me qëllim që ligji të futet në procedurë parlamentare. Deri atëherë, deputetët do të inkasojnë edhe deri në 1 mijë euro në muaj vetëm për shpenzime rrugore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme