Dëmet e zjarreve, shkatërrohet ekosistemi në Gjirokastër

12:52 | 31 Gusht 2017
Arbresh.info

Zjarret masive kanë shkatërruar habitatin natyror të dhjetëra shpendëve, kafshëve dhe mikrogjallesave në të dy krahët e luginës së Drinos në Gjirokastër.

Specialistët thonë se rekuperimi i dëmit, që është i paçmueshëm, kërkon dekada ndërsa zjarrfikësit flasin për mundësinë e zgjatjes së situatës së jashtëzakonshme nëse nuk do të nisin reshjet.

Një pjesë e zjarrvënësve, të gjithë barinj, po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa ende nuk ka të ndëshkuar. Kjo është situata më e pazakontë që mbahet mend ndonjëherë në këtë rajon, ku dëmet është vështirë të llogariten në vlerë ekonomike.

“Është shkrumbuar thuajse gjithë pjesa e Malit të Gjerë nga të dy krahët. Bashkë me florën digjet edhe fauna, lepuri, dhia e egër, dhelpra e ariu, që nuk i largohen dotë zjarrit. Zjarret shkaktojnë katastrofa që për t’u rekuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me ta dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”, thotë Kleanthi Mandi, ekspert biolog.

Në më shumë se 120 ndërhyrje vetëm brenda muajit gusht, shpesh herë zjarrfikësve u është dashur të menaxhojnë rreth 4 apo 5 zjarre të qëllimshme brenda ditës.

“Nëse vazhdon sërish thatësirë, situata nuk është në fund, por në kulmin e saj. Unë dua të përsëris apelin drejtuar gjithë popullatës: mendohuni mirë para se të vini zjarre, pasi ndëshkimi do të jetë shumë i rëndë”, thotë Kujtim Bizhga, drejtor i Mbrojtjes nga Zjarri.

Në disa raste është kërkuar edhe ndihma e efektivëve nga Greqia. Disa reparte të Janinës morën pjesë në shuarjen e të paktën 5 zjarreve dhe në një rast zjarrfikësit shqiptarë parandaluan një zjarr që po avanconte në territorin grek./TCh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme