​Bajram Berisha shpallet laureat i çmimit “Zietzschmann-Preuss Award“

12:44 | 31 Gusht 2017
Arbresh.info

Këshilli drejtues i fondacionit shkencor ndërkombëtar “Zietzschmann-Preuss Award“ me seli në Gent të Belgjikës, ka përzgjedhur Prof. Bajram Berishën Laureat të çmimit “Zietzschmann-Preuss“ për vitin 2017.

Ky çmimi prestigjioz Berishës i është ndarë për të arriturat shkencore në publikimin me titull “Angiogenesis in the Ovary – The Most Important Regulatory Event for Follicle and Corpus Luteum Development and Function in Cow – An Overview” (autorët Berisha B, Schams D, Rodler D, Pfaffl M), i publikuar në revistën “Anatomia, Histologia & Embryologia, 2016.Çdo vit në nderim dhe respekt të embriologëve të famshëm Prof. Otto Zietzschmann dhe Prof. Fritz Preuss, këshilli drejtues i fondacionit, përzgjedh Laureatin në mesin e autorëve të cilët kanë publikuar artikuj shkencore gjatë vitit paraprak.Ky çmim i ndahet vetëm një autori gjatë një viti dhe menaxhohet nga Asociacioni Botëror i Anatomëve të Veterinarisë. Që nga themelimi i këtij Fondacionit, Asociacioni botëror ka përzgjedhur çdo vit nga një Laureat për të arriturat e tyre kulmore shkencore.

Këshilli drejtues i fondacionit, ka vlerësuar lartë të arriturat shkencore të Prof. Berishës dhe grupit të tij shkencor, ndërkaq publikimin lidhur me procesin e angiogjenezës në ovare (vezore), e ka përzgjedhur fitues unanim të votimit për vitin 2017. Natyrisht një vlerësim i tillë për punën kërkimore-shkencore të Prof. Berishës ka qenë i pritur, pasi ai në karrierën e tij shkencore deri tani ka publikuar qindra punime të ndryshme (65 publikime në revista me “impact factor”) lidhur me procesin e Angiogjenezës në qelizat, indet dhe organet e riprodhimit te shtazët e ndryshme.Hulumtimet e Prof. Berishës shpjegojnë mekanizmat lokalë që ndikojnë në angiogjenezën fiziologjike.

Në fakt, shfrytëzimi i njohurive të fituara nga modeli i angiogjenezës fiziologjike të vezores, ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm, në krijimin e strategjive të reja që do të kontribuonin në luftën kundër kancerit të vezores (si problem i madh në mjekësinë humane), por edhe kundër llojeve të tjera të tumoreve.Gjithashtu, hulumtimet e Prof. Berishës kanë edhe karakter shumë të rëndësishëm praktik-aplikativ. Ato ndihmojnë në sqarimin e fiziologjisë së vezores duke i kontribuar kështu rritjes së shkallës së riprodhimit dhe zgjidhjes së problemeve të shterpërisë fiziologjike dhe patologjike, probleme këto në rritje gjatë dekadave të fundit.Dorëzimi i çmimit për Prof. Berishën, siç është praktike për të gjithë Laureatët nga Evropa, do të bëhet në një ceremoni të veçantë gjatë darkës përmbyllëse të kongresit të ardhshëm të Asociacionit Evropian të Anatomisë veterinare, i cili do të mbahet në korrik të vitit 2018 në Hannover të Gjermanisë.

sas_4058

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme