Teksa shumica pret mbledhjen e parlamentit dhe firmën e Presidentit të Republikës për konstituimin e qeverisë ‘Rama 2’, përfaqësuesit e opozitës kanë nisur lëvizjet për hartimin e një platforme, e cila do të diktojë aksionin e saj politik në fillim të legjislaturës së re.
Shqiptarja.com, nga burime pranë Partisë Demokratike, zbardh pikat kryesore mbi të cilat do të bazohet veprimi politik i Partisë Demokratike, veprim i cili mund të koordinohet edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, si pjesë e kampit opozitar.
Reforma zgjedhore, me tërësinë e elementëve të saj, do të jetë kauza kryesore e Partisë Demokratike gjatë kësaj legjislature parlamentare. Përpos, numërimit dhe votimit elektronik, opozita pritet të luftojë për të sanksionuar në ligj edhe votimin e detyrueshëm.
Kjo kërkesë ka nisur të artikulohet pas përvojës në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku demokratët kanë identifikuar mospjesëmarrjen masive të zgjedhësve në votime si një ndër faktorët e disfatës dramatike. Një tjetër pikë e strategjisë parashikon denoncimin e deformimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Aksioni politik i PD do të nisë me një debat dhe polemikë të gjerë për legjitimitetin e zgjedhjeve, bazuar në raportin e ministrave teknikë.
Dy kauzat e tjera
Në fillim të kësaj vjeshte politike, Partia Demokratike do t’u rikthehet edhe dy kauzave të mëparshme: Dekriminalizimit dhe dekomunistizimit. Partia kryesore në opozitë do të kërkojë dekriminalizimin e politikës dhe administratës, përmes zbatimit dhe ndoshta edhe amendimit të ligjit të dekriminalizimit. Karta antikomuniste do të jetë gjithashtu pjesë e aksionit politik.
Sipas platformës, akuzat për rikthimin e njerëzve me të kaluar komuniste në qeveri dhe në parlament, do të tentohen që të kthehen në kauzë. Shqiptarja.com ka mësuar së nuk përjashtohet as mundësia e propozimit të një ligji për të adresuar këtë çështje. “Kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste.
Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse”, ka shkruar kryetari i opozitës Lulzim Basha në Facebook. Po ashtu, Partia Demokratike do të kundërshtojë platformën për ristrukturimin e organeve të qeverisjes qendrore, si një formë, sipas saj, për të larguar nga administrata njerëzit e kundërshtarëve politikë.
Korrupsioni dhe reformat
Rikthimi i çështjeve të nxehta, të cilat opozita i konsideron si afera korruptive, do të jenë pjesë e agjendës politike të Partisë Demokratike. Konkretisht, PD pritet t’i rikthehet çështjes CEZ, serverit të tatimeve etj. Denoncimi i atyre që Partia Demokratike i konsideron gjysmëreforma do të jenë gjithashtu në fokus të PD.
Pjesë e aksionit politik të Partisë Demokratike do të jetë edhe ndryshimi i hartës së ndarjes administrativo-territoriale, kërkesë për të cilën kryeministri Edi Rama është i hapur për ta diskutuar. Kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike do të jetë sërish pjesë e rëndësishme e aksionit të opozitës, e cila pretendon se paratë e drogës janë përdorur për të deformuar zgjedhjet.
Ndërkaq, asnjëri kamp politik, prej disa muajsh, nuk po flet më për zbatimin e Reformës në Drejtësi, tashmë përmes ngritjes së institucioneve të reja anti-korrupsion.
Prishet marrëveshja
Çështjet mbi të cilat do të bazohet veprimi politik i Partisë Demokratike në fillim të kësaj legjislature dalin përtej kornizave të marrëveshjes politike Rama-Basha. Pakti parashikon vetëm reformë kushtetuese, reformë zgjedhore dhe reformim të sistemit të prokurimeve.
Prishja e marrëveshjes është deklaruar nga vetë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, tre javë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Duke demostruar shenja të qarta pendese për firmosjen e marrëveshjes politike me kryeministrin Edi Rama, pakt i cili i dha fund krizës tremujore politike, duke mundësuar futjen e opozitës në çadrën e qeverisë, në këmbim të pjesëmarrjes në zgjedhje, Basha ka pohuar se nuk do të ketë më asnjë lloji bashkëpunimi politik me Edi Ramën. “Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, ka deklaruar Basha.
Pikat e aksionit politik të PD
Dekomunistizimi i qeverisë, parlamentit dhe administratës.
Dekriminalizimi i politikës dhe administratës.
Lëvizjet në administratë për shkak të ristrukturimit të strukturave qeverisëse
Denoncimi i blerjes se votës.
Ngulmimi për një reforme të thellë zgjedhore.
Numërim dhe votim elektronik.
Votim i detyrueshëm në zgjedhje.
Ndryshimi i numrit të deputetëve.
Në fokus korrupsioni kapilar në çdo ind të qeverisjes e administratës.
Rikthimi i çështjeve të nxehta të abuzimeve.
Dështimi gjysmë-reformave të qeverisë ‘Rama 1’.
Ndarje e re territoriale, ndryshimi i numrit të bashkive para zgjedhjeve lokale.
Në fokus kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike.
Çështja e azilkërkuesve.
Ish të përndjekurit dhe ish pronarët.
Marrëveshja Rama-Basha, pjesa pas zgjedhjeve
Palët në këtë marrëveshje shprehin mirënjohjen dhe falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri si dhe në mënyrë të veçantë, për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017.
Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës.
Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarte demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe përparimit të vendit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
REFORMAT
Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek