Rasti i vrasjes së foshnjës nga babai – flet mjeku i QKMF-së në Viti

18:21 | 30 Gusht 2017
M. A.

Shefi i Emergjencës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, mjeku Gazmend Halili që kishte pranuar në këtë qendër Zejnie Sylejmani-Kosumin ka rrëfyer për gjendjen në të cilën kishte ardhur në klinikë nëna e foshnjës që u gjet e vdekur në një përrua afër shtëpisë ku është e strehuar familja Kosumi në Letnicë të Vitisë.

Halili tregon sesi mjekët pasi kishin mjekuar gruan që para pak orësh kishte kryer një lindje në shtëpi, e ishte sjellë në QKMF të Vitisë pasi nuk i ndalej gjakderdhja, ekipi i mjekeve dhe mamive kishin shkuar në Letnicë për të marrë edhe foshnjën për trajtim, por aty u ishte thënë nga bashkëshorti i saj, Xhezmi Kosumi se gruaja e tij nuk kishte lindur dhe se nuk kishte qenë shtatzënë.

“Dje rreth orës 9 kemi pasur një rast, një paciente ka ardhur me gjakderdhje dhe pas anamonezes së marrë vërtetojmë se pacientja kishte lindur para dy-tre orëve. E kemi thirrur maminë në mungesë të gjinekologut. Ajo ka vërtetuar se placenta nuk është hequr krejt nga trupi i gruas, e ka hequr atë, është ndalë gjakderdhja dhe është stabilizuar gjendja e pacientes. Pastaj e kemi nisur për Gjilan”, tregoi të mërkurën shefi i emergjencës së QKMF’së në Viti.

“Ne kemi kërkuar nga gruaja informata për gjendjen e fëmijës, dhe aty e kemi pa se pacientja ka dhënë disa përgjigje jo fort të qarta. Në kemi shkuar pastaj me autoambulancë në Letnicë për ta marrë foshnjën për trajtim. Por kur kemi shkuar në vend të ngjarjes, fëmijën se kemi gjetur dhe pastaj kemi marrë informata të çuditshme nga babai i foshnjës i cili ka thënë se gruaja e tij nuk ka qenë shtatzënë”, rrëfen ai.

Më pas, Haliti tregon se ata kanë lajmuar policinë, të cilët pasi kanë ardhur në vendin e ngjarjes kanë gjetur foshnjën të mbytur në përruan afër shtëpisë ku familja Kosumi e ardhur nga Malina e Karadakut të Shkupit është e strehuar gati që 15 vite.

Policia ka arrestuar menjëherë bashkëshortin, 60 vjeçarin Xhezmi Kosumi si i dyshuar për vrasjen të rëndë të foshnjës, pasi nuk pranonte atësinë, për t’iu shqiptuar të njëjtit masa e arrestit 30 ditë paraburgim, të mërkurën, nga Gjykata Themelore e Gjilanit.

Në familje Kosumi, një ditë pas krimit, pretenduan se gruaja që kishte kryer lindjen nuk ishte me aftësi të kufizuara të menduarit, dhe se nuk ka qenë shtatzënë. Ata aludonin se ajo vazhdimisht ka shfaqur sjellje të çrregullimeve mendore dhe ka parë halucinacione.

Por mjeku Halili thotë se gruaja ka qenë e turbullt dhe jo në gjendje të mirë mendore, porse nuk ka pasur shenja për ndonjë gjendje të rënduar të këtij lloji.

“Gjendja e pacientes ka qenë pak e turbullt, por më të është marrë edhe psikologja. Pra ka qenë me një vetëdije të turbullt, por vetëm tregonte se ka lindur një fëmijë të gjinisë femërore dhe e ka lënë në shtëpi, por më se di ku është”, ka rrëfyer për Gazetën Express mjeku nga Vitia.

Foshnja e porsalindur për të cilën dyshohet se e vrau babai i saj, të martën u gjet e mbytur në një përrua, 10 metra larg një shtëpie të vjetër në fshatin Letnicë të Vitisë, ku janë të strehuar familja Kosumi. Burri Xhezmi Kosumi dhe gruaja e tij në këtë shtëpi banonin bashkë me kunatin dhe djalin e tij si dhe dy fëmijët e çiftit të moshës 6 dhe 5 vjeçe, njëri i gjinisë femërore dhe tjetri mashkull.

Xhëzmi Kosumi mësohet se ka edhe 2 fëmijë tjerë të rritur me gruan e tij të parë e cila kishte ndërruar jetë, vite më parë, por ata nuk jetonin më aty me babain.

40 vjecarja Zejnije Sylejmani aktualisht ndodhet në Spitalin Regjional të Gjilanit, pas transferimit që iu bë dje nga QKMF e Vitisë, dhe gjendja e saj raportohet të jetë stabile dhe e përmisuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme