Përfundon falja e borxheve, u falën mbi 350 milionë euro

09:06 | 31 Gusht 2017
Arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës sot e shpall të mbyllur afati për faljen e borxheve publike për personat juridikë dhe fizikë në Kosovë të akumuluara prej datës 31 dhjetor 2008.

Zyrtarët e ATK-së u bëjnë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë edhe ditën e sotme, për të aplikuar për faljen e borxhit, pasi nga dita e nesërme nisin procedura të tjera.

Valentina Bytyqi, zëdhënëse e Administratës Tatimore të Kosovë, në emision “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se procesi i faljeve të borxheve ka qenë relativisht i kënaqshëm, ku janë falur qindra miliona euro, gjatë dy periudha kohore të caktuara te ligji.

“Falja e borxheve është bërë në dy periudha. E pra ka qenë deri në vitin 2008, ndërkaq periudha tjetër prej 2009 deri më 2014, ndërsa si aksion për faljen e borxheve përfundon sot në ora 14:00”, deklaroi Bytyqi, duke iu bërë thirrje qytetarëve që kanë borxhe, që t’ia mësyjnë sporteleve të ATK-së për ta shfrytëzuar edhe mundësinë e fundit.

Pas kësaj ajo tha se ligji parashikon edhe ndaljen e interesit, transmeton RTKlive.

Bytyqi tha se gjatë dy javëve të fundit është shtuar numri qytetarëve që kanë kërkuar falje të borxheve. Por ajo tha se krahasuar me periudhën e parë, deri në vitin 2008, numri i aplikuesve për falje ka qenë dukshëm më i madh. Kjo ka ndikuar pasi nuk është ditë, nëse Qeveria e Kosovës do të merr vendim tjetër për shtyrjen e afatit të faljes së borxhit publik.

“Janë falur 216 milionë euro borxhe, ku për vitet 2015 dhe 2016 u inkasuan 24.2 milionë euro. Vetëm në vitin 2017 nga Ligji për Faljen e Borxheve kanë përfituar 2.539 tatimpagues, ndërsa janë arkëtuar 3.2 milionë euro. Kemi arritur që t’i pastrojmë listat afërsisht 20 milionë euro. Për këtë vit planifikohen që të inkasohen edhe 10 milionë euro”, ka thënë Bytyqi.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, deri në fillim të këtij muaji, janë falur më shumë se 350 milionë euro borxhe, ndërsa janë afër 600 mijë raste të cilët kanë përfituar nga falja e borxheve nga institucionet e ndryshme shtetërore dhe nga ndërmarrjet publike.

Ndryshe, sipas statistikave që janë dhënë më herët, vetëm në Korporatën Energjetike të Kosovës me Ligjin për Faljen e Borxheve janë trajtuar 238,682 përfitues potencialë, ku deri më tani kanë përfituar 121,897 konsumatorë. Shuma e borxheve të falura është rreth 40 për qind e gjithë borxhit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme