Google ADS

Aksidente pas shiut, vdes shtetasi maqedonas, 15 të plagosur

21:22 | 29 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Për shkak të motit të keq, në disa segmente rrugore pati probleme me qarkullimin. Zona më e goditur nga reshjet e shiut ka qenë në Bradashesh të Elbasanit, ku breshëri shkaktoi shumë dëme dhe banorët janë gjetur të papërgatitur.

Por situata më e rëndë ka qenë me aksidentet. Për shkak të reshjeve të fuqishme të shiut, pavarësisht se për pak kohë, pesë aksidente u shkaktuan në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë

Për pasojë një person gjeti vdekjen, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur mes të cilëve një 11-vjeçare në gjendje të rëndë, e cila pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Elbasanit është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për një mjekim më të specializuar.

Aksidenti që shënoi edhe një të vdekur ndodhi në Qafë-Thanë në fshatin Urakë, kur makina me të cilën udhëtonte viktima, një shtetas maqedonas dhe katër persona të tjerë, doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë.

Forcat policore dhe zjarrfikëse shkuan në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar për shkaqet e aksidentit të rëndë.

Aksidenti tjetër ndodhi po në zonën e Përrenjasit, pikërisht në vendin e quajtur Pishkash, kur dy furgonë pasagjerësh u përplasën duke shkaktuar katër të plagosur.

Aksidenti tjetër me numrin më të lartë të të plagosurve u regjistrua në Xibrakë, kur tre makina u përplasën mes tyre dhe shënuan 7 të plagosur. Ambulancat dhe Policia në vendin e ngjarjes mbërritën pak minuta më vonë, ndërsa qarkullimi është bllokuar për më shumë se 30 minuta.

Policia bën apel për kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga hetimet paraprake në rastet e aksidenteve të kësaj të marte, përveç reshjeve të shiut, sipas Policisë, një tjetër shkak ka qenë edhe shpejtësia e lëvizjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme