Francesca Petrizzo, shkrimtare e re italiane, më shkruante ditë më parë se do t’i duhej kohë të hiqte nga vetja ndjesitë që i kishte lënë romani “Aksidenti” i shkrimtarit tonë Ismail Kadare.
“Më duket sikur përjetoj ankthin e saj, teksa rend avionëve, humbet në stacionet e trenave për të takuar Besfortin”, më shkruan Petrizzo, duke vazhduar se, asnjë personazh tjetër nuk e ka tronditur kaq shumë sa Rovena H (personazhi kryesor i romanit “Aksidenti”). Një grua që i dorëzohet dashurisë, Rovena H, nuk bën gjë tjetër veçse gjithçka që një grua e zakonshme do të bënte nën ndjesinë e kësaj ndjenje, pavarësisht tiranisë që shfaq herë pas here i dashuri i saj. Por Kadare e ka bërë atë të ngjasojë ndryshe. I shkruar në vitet 2003-2004, ky roman ku janë kaq pranë dashuria me tragjiken, ashtu si në pjesën më të madhe të veprave të Kadaresë ka kaluar pothuajse në heshtje nga kritika shqiptare.
Një pasazh i tërë dashurie të njëanshme mes Rovenës dhe mikes së saj pianiste, duke shfaqur në prozën shqipe një element pothuajse të munguar, siç është homoseksualizmi, s’mund t’i shpëtonte një kritike që është e prirur të rendë drejt sensacioneve. Por nuk është hera e parë që kritika apo studimet shqipe kanë kaluar në heshtje një temë të tillë, që në çdo libër të letërsisë ballkanike, ku ka mbizotëruar fryma epike, përballja me subjekte jashtë së zakonshmes, do të evidentohej menjëherë në shtyp. I botuar në vitin 2004, “Vjedhja e gjumit mbretëror”, një përmbledhje me tregime, ka ndoshta një nga tregimet më të guximshme të shkruar për këtë temë, në një vend që për më shumë se 40 vjet i ka pasur të dënueshme histori të tilla, duke i konsideruar si veprimtari armiqësore. “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nëmura”, është një tjetër rast ku Gasper Cara (personazhit kryesor), do t’i duhet të presë ndoshta gjatë, deri sa të takojë kritikun e tij. Ashtu si realizmi socialist pothuajse i injoronte dhe i dënonte dukuri të tilla, dhe kritika e re shqipe i ka lënë këto personazhe të jetojnë pa rënë në sy.
Rasti i “Aksidentit” apo “Vjedhjes së gjumit mbretëror”, ku një lexim i kujdesshëm nxjerr në pah trajtimin e një dukurie pothuajse të mohuar në letërsinë e mëparshme shqipe, shfaqur diku në vitet ‘30, por dhe atëherë shumë pak, dhe i ndaluar për gati gjysmë shekulli, të lë të mendosh për një moslexim, apo lënie me kast. Mungesa e temave të tilla nuk është se e ka varfëruar letërsinë, por pasurimi i letërsisë me tema është gjithnjë një ngjarje për lexuesin dhe kritikën e saj. Rasti i këtyre dy librave, shkruar dekadën e fundit nga shkrimtari, nuk janë të vetmet kur kritika apo studimi shqip, qëndron pothuajse indiferent ndaj shkrimtarit. Ndërsa çdo javë në shtypin botëror ka një kritikë apo një recensë mbi veprat e tij që vazhdojnë të botohen çdo ditë në botë, në Shqipëri shkrimtari vazhdon të jetë në qendër të medias më shumë për raportin e tij me regjimin, se sa me letërsinë.
Një rilexim i kujdesshëm i letërsisë së shkruar nga Kadare përgjatë viteve të komunizmit, do të kishte brenda dhe përgjigjen mbi akuzat që ngrihen shpesh në shtyp. Peter Morgan, studiuesi anglez që i ka kushtuar një libër studimor veprave të Kadaresë, e analizon qartë disidencën që gjen te veprat e Kadaresë, duke nisur nga vepra ku ai i del përballë diktatorit duke e kthyer në një personazh “Dimri i vetmisë së madhe”. Në asnjë vend komunist, një shkrimtar nuk është përballur në një mënyrë të tillë me tiranin e tij. Por pak kush e ka lexuar veprën e Morgan (përktheu Ilir Shameti, botimet 55), pakkush është ndalur në studimin skrupuloz të një profesori, që e njeh mirë rregullin e artë të filozofisë së studimit, që është të thuash të vërtetën. Jo pak herë shkrimtari është përballur me akuza që në çdo vend të botës së qytetëruar do të ishin përjashtuar nga diskutimi publik. Kandidat i përhershëm këto dekadat e fundit për çmimin Nobel, Kadare është përballur me dy akuza, që prej më shumë se dhjetë vitesh vazhdojnë të ridalin në një formë a një tjetër në shtypin shqiptar, shpesh edhe në atë botëror.
Një deklaratë e thënë prej tij në vitet ‘90 ku i ka quajtur emigrantët shqiptarë si jashtëqitja e kombit, është një ndër “damkat” që u vendos në gojën e tij (pa u vërtetuar asnjëherë), duke u kthyer në një akuzë të rëndë ndaj tij, në kohën kur pamjet e emigrantëve shqiptarë që kërkonin të linin vendin, mbushnin kronikat kryesore të mediave jo vetëm në vend. Akuza tjetër, ka të bëjë me racizmin dhe nacionalizmin ndaj gjuhës serbe, një akuzë e përsëritur shpesh dhe nga publicisti Fatos Lubonja. Përballë këtyre dy akuzave, tepër të rënda ndaj një shkrimtari, akuza që në një farë mënyre godasin ndërgjegjen tonë, ka pasur një refuzim të kritikës apo mendimit shqip për të hulumtuar.
Duket gati e pabesueshme, por në asnjë vend perëndimor, nuk do të shoqëroheshin me heshtje dy akuza të tilla, që jo vetëm ulin integritetin e shkrimtarit, por janë një thirrje e hapur për trazira. Vetë shkrimtari i kaluar me heshtje këto akuza, duke besuar, ashtu siç është shprehur në disa intervista se gënjeshtrat si të tilla, do të harrohen një ditë. Por jemi më shumë se 20 vjet nga akuza e parë, dhe ajo vazhdon të shoqërojë rrëfimet për shkrimtarin në shkrime që bëhen në vende të ndryshme të botës. Kujt i intereson denigrimi i figurës së një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm sot në botë, që vjen nga një vend i vogël i Ballkanit, ende i kapur keq nga historia? Po le të hidhemi pas në kohë për të parë historinë e akuzës së parë. Kjo deklaratë mendohet të jetë thënë nga Kadareja në mitingun e organizuar në vitet ‘90, me rastin e largimit të emigrantëve, një miting ku shkrimtari refuzoi të shkonte.
Në një miting ku morën pjesë gati 100 mijë veta, askush nuk është ngritur ta përgënjeshtrojë këtë deklaratë, dhe pse shkrimtari nuk ka qenë i pranishëm. Duke njohur mekanizmin e komunizmit, mënyrës sesi kërkonte të nxiste urrejtje ndaj figurave kryesore përmes sajesave apo trillimeve, Kadare është shprehur se e ka lënë në heshtje këtë deklaratë që i është vendosur pas si një damkë, e që shpesh nuk mungon as në shtypin e huaj, pavarësisht se nuk ka asnjë zë apo figurë që ta faktojë atë. Shkrimet e para të Kadaresë në shtypin francez pas ikjes nga Shqipëria kanë qenë në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë, por këto shkrime kanë qenë pothuajse të padukshme përballë shpejtësisë me të cilën u përhap kjo deklaratë.
Në një intervistë të dhënë në Panorama ish-sekretari i PPSH-së Xhelil Gjoni, duke folur për ngjarjen e 2 korrikut 1990, jep edhe një detaj që hedh dritë mbi këtë deklaratë: “Por unë jam dëshmitar i një fakti që nuk e luan topi: në një moment, Ramiz Alia, unë në atë kohë isha ndihmës i tij, më ka thënë: “Ore më kanë thënë që Kadare paska thënë për këta të ambasadave se janë jashtëqitje e kombit. Nuk i thua që të bëjë një poezi për këta?”. Duket se Ramizit i pëlqeu kjo figurë. Unë e gjej Kadarenë në sallën e Kuvendit Popullor dhe i them se shoku Ramiz ka dëgjuar se ti ke thënë që qytetarët e ambasadave që ikën janë jashtëqitje e kombit. Ramizi më porositi të them se ai sugjeron të bësh një poezi për këtë çështje. Ismaili më tha se këto fjalë nuk i kishte thënë. Kjo është e vërteta. Se nga e dinte Ramizi, është punë e tij”.
Në ato ditë të trazuara për vendin dhe shkrimtarin, siç ishte rënia e regjimit komunist, kjo shprehje, jehona e së cilës vazhdon të eci ndër vite, nuk duhet të ketë qenë gjë tjetër veçse një nga grahmat e fundit të hakmarrjes së pushtetit, ndaj një prej personaliteteve që kishte pasur më shumë rezistencë ndaj tij. Akuza e dytë për racizëm, dhe doza të thella nacionalizmi është një ndër akuzat që do të hidhte poshtë letërsinë e çdo shkrimtari në kohën kur po jetojmë. Në një kohë ku përplasja e ideve po shndërrohet në një përplasje të re me fryma nacionalizmi, akuza të tilla do ta bënin të papëlqyeshëm figurën e çdo shkrimtari, që do të ushqente ndjesi të tilla.
Në një Ballkan që me përpjekje titanike po përpiqet të heqë dorë nga veset e vjetra të të parit shtrembër të fqinjëve, thirrja për nacionalizma qoftë edhe në letërsi do të ishte kthim në kohë. Mjafton një rilexim i librit “Ftesë në studio” ku sipas Lubonjës, “Kadare e quan gjuhën serbe jevgë”, për të parë një nga rastet flagrante të mungesës së kritikës shqiptare, e cila përgjatë gjithë këtyre viteve që përsëriten këto akuza, nuk ka denjuar qoftë edhe njëherë të hapë librin, për të lexuar se çfarë vërtet Kadare ka shkruar aty. Teksa flet për Ballkanasit, Kadare me të drejtë thotë se “shqiptarët kanë patur qejf të mburren. Por, ndërsa njerëzit e thjeshtë janë mburrur kryesisht me trimërinë dhe nderin, intelektualët, veç të tjerash janë mburrur për racën dhe sidomos për gjuhën shqipe. Për ta, ajo ishte hyjnore”.
Megjithatë, thotë Kadare më tej, “shqiptarët s’kanë pse të përndizen nga gjuha e vet, e aq më pak ta quajnë atë “gjuhë perëndie” siç ka ndodhur shpesh…”. Teksa “kritikon shqiptarët për mburrjen e drejtë”, Kadare ndalet dhe te sulmet që ka pasur ndër vite gjuha dhe kultura shqipe. Për të ilustruar këto sulme, ai merr dhe analizon një nga librat më të keq shkruar ndonjëherë për shqiptarët që është libri “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” i ish-kryeministrit serb Vladan Gjeorgjeviçit, një nga librat më antishqiptar. Libri u përkthye në vitet ‘30 me një guxim nga Mustafa Kruja, çka bëri që të lexohej masivisht nga kasta intelektuale shqiptare e kohës, që nuk denjoi të shprehte indinjimin, ndaj mënyrës sesi ishin trajtuar nga Gjeorgjeviç. Kadare pohon, se përgjigjet ndaj Gjeorgjeviçit në shtypin shqiptar ishin të tmerrshme, por ai kishte fyer disa gjëra për të cilat shqiptarët s’të falin kurrë: racën, virtytet, dhe gjuhën e tyre. Fyerja ndaj gjuhës shqipe do të sillte zemërim te gjuhëtarët.
Teksa përshkruan mënyrën sesi u prit ky libër në shqip, Kadare shkruan tekstualisht: “Ata që diçka dinin për gjuhësinë e për ndarjen e gjuhëve, nuk e patën të vështirë të gjenin se gjuhët, ashtu si racat, madje më bindshëm se racat, ndaheshin në gjuhë të zhvillimit të lartë, të mesme dhe të ulët. Për fatin e shqiptarëve, gjuha shqipe (gjithmonë sipas të bekuarve gjermanë), hynte në gjuhët më të larta, flektive, në kohën që dëshpërimin e serbëve gjuha e tyre cilësohej si gjysmë aglutinative (e varfër, pa prapashtesa), pra një gjuhë e shkallës së dytë, që më shumë i afrohej gjuhëve turanike (turke), se sa europiane. Kaq u mjaftonte shqiptarëve dhe ata shpejtuan t’i mbyllin prapë librat. Madje, shumica as që i kishin hapur, sepse kishin aq shumë zjarrmi në shpirt saqë mund të bënin edhe pa to. Ashtu siç pritej, gjuha e moçme shqipe u krahasua me një zonjë të rëndë, përbri së cilës serbishtja, s’qe veç një shërbëtore jevgë, një kosh plehrash i mbushur përgjysmë me mbeturina të sllavishtes dhe përgjysmë me fjalë arixhinj. Pasi u duk se i lajtën përjetë llogaritë me serbishten, gazetarët e poetët iu kthyen prapë gjuhës shqipe, si ata që kërkojnë të qetësojnë zonjën e madhe të fyer keq. Asaj iu bënë lavde e lajkatime të reja, duke e quajtur më të bukurën, më të mençurën, e më parajsoren mbi dhe. E krahasuan me zërin e bilbilit, me shushurimën e flatrave të engjëjve, me puhizën e buzëmbrëmjes etj., krahasime jo fort të besueshme për një gjuhë e aq më pak për shqipen e rreptë”.
Siç shihet fjala “jevgë” është vërtet në tekst, por konteksti në të cilën ajo është përdorur nuk shpreh pikëpamjet e shkrimtarit ndaj një gjuhe e një kulture, për të cilën ashtu siç shkruan më tej te “Ftesë në studio”, janë “prova e madhe e qytetërimit të shqiptarëve”.
Nëse në gjuhën serbe mund të gjesh libra kundër shqiptarëve është e vështirë të pikasësh një të tillë për kulturën serbe në gjuhën shqipe. Përkundrazi në këtë rrëfim Kadare është në pozitat e një shkrimtari bashkëkohor, me një vizion europian, teksa pranon që pavarësisht raporteve historike që shqiptarët kanë pasur me serbët, prova e tij e madhe me ndërgjegjen është të shkruajë për ta. Ashtu si pas përfundimit të Eskilit, kuptoi se i ardhur nga një qytet kufitar siç ishte Gjirokastra me Greqinë, kishte mundur të superonte të gjitha rezervat që mund të kishte pasur ndaj popullit grek, të njëjtën gjë do donte ta bënte dhe me një vepër mbi një popull tjetër të rëndësishëm fqinj, siç janë serbët.
“Prova me serbët mendohet të jetë pa dyshim më e madhja e të gjithave. Duke ëndërruar për të, më pëlqen të mendoj se edhe ajo do të kalojë”, shkruan Kadare. Në një intervistë të dhënë pas daljes së librit për Eskilin, ka thënë se në qoftë se do të shkruante diçka të tillë, domethënë me kaq dashuri, edhe për kulturën ose letërsinë e kombit serb, do ta quante këtë si një proces përkryerje të ndërgjegjes së tij. E Kadare, vazhdon t’i përmbahet këtij mendimi. Gjithmonë e më me bindje./Mapo.al/
Autor: Alda Bardhyli
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...