Sindikata e Bashkuar e Arsimit sërish ka paralajmëruar greva me fillimin e vitit të ri shkollor nëse kërkesat e tyre nuk realizohen nga institucionet lokale.
Për njohës të çështjes së arsimit kjo është bërë e zakonshme që marrëveshjet kolektive në mes të Qeverisë dhe sindikatave të nënshkruhen në kohën e fushatës zgjedhore, duke përfshirë në to gjëra që shteti nuk ka mundësi t’i zbatojë.
Analisti për arsim, Dukagjin Pupovci, ka thënë për “arbresh.info” se këto paralajmërime për grevë shërbejnë për të fituar vota, ndërsa sindikatave për të krijuar përshtypjen se pozita e anëtarësisë po avancohet.
“Partive politike në pushtet këto marrëveshje i shërbejnë për të fituar vota, ndërsa sindikatave për të krijuar përshtypjen se pozita e anëtarësisë po avancohet. Në rastin konkret kemi të bëjmë me kërkesa që Qeveria i ka pranuar që në vitin 2014, por, në esencë janë të parealizueshme”, thotë Pupovci.
Ai ka thënë se është e palogjikshme kërkesa e sindikatës që të paguhet ushqimi dhe shpenzimet e udhëtimit për punonjësit e arsimit e të mos paguhet për të gjithë shërbyesit civilë.
“E njëjta gjë vlen për tri pagat jubilare të cilat kërkohet të paguhen me rastin e pensionimit të punëtorëve të arsimit. Është mirë të kalkulohet sa do të kushtonte pagesa e ushqimit, udhëtimit dhe pagave jubilare për të gjithë shërbyesit civile, pastaj të bisedohet a janë premtimet e tilla të arsyeshme apo jo. Përkundër faktit se marrëveshja kolektive e vitit 2014 ka mbetur e parealizuar në këto pika, të njëjta janë përsëritur në marrëveshjen e re, të nënshkruar në prag të zgjedhjeve të fundit”, ka thënë Pupovci.
SBASHK-u ka paralajmëruar grevë me arsyetimin se institucionet lokale dhe ato qendrore nuk janë duke reflektuar në realizimin e kërkesave të kësaj Sindikate që janë: dhënia e tri pagave suplementare, dhënia e tri pagave me rastin e pensionimit të mësimdhënësve, pagesa e shujtës prej 2 eurove, si dhe pagesa prej 70% e udhëtimit të mësimdhënësve udhëtarë në arsim. Kërkesa këto që sipas drejtuesve të SBASHK’ut janë legjitime me Kontratën Kolektive të Arsimit të ri nënshkruar më 18 prill të këtij viti.
Madje, drejtues të SBASHK’ut, mbajtjen e grevave përgjatë muajve të vitit shkollor e arsyetojnë me reflektimin e institucioneve./Mira Avdimetaj/arbresh.info/
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?