Negociatat me BE, Hahn: Nuk ka datë për Shqipërinë

09:24 | 27 Gusht 2017
Arbresh.info

Bashkimi Evropian duket se do të qëndrojë ende larg për Shqipërinë. Brukseli nuk ka një datë për t’i hapur Shqipërisë negociatat për anëtarësimin.

Këtë e konfirmoi dje Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn në konferencën me Ramën pas takimit të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Durrës. Gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimorë zhvilluan dje një takim informal, i organizuar nga qeveria shqiptare, për vijimin e diskutimit të asaj që u vendos në Samitin e Triestes, më 12 korrik. Samiti i Triestes vendosi për krijimin e asaj që quhet “tregu ekonomik rajonal”, ndërsa në takimin e djeshëm është diskutuar plan veprimi me rreth 115 pika për lëvizjen e mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit njerëzor.

Shqipëria në Samitin e Triestes nuk prezantoi asnjë projekt dhe për pasojë nuk fitoi asnjë fond nga BE-ja, fonde që shkuan për Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën. Sa i përket Shqipërisë kryefjala nga ana e Komisionarit Hahn u bënë azilkërkuesit shqiptarë dhe shansi për hapjen e negociatave për integrimin e vendit. Eurokomisioneri Hahn tha se nuk mund të jepte një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ai theksoi se data do të varet nga qeveria, që bëjë hapat e duhura në plotësimin e kërkesave që ka BE-ja. “Mendoj se është në interes, pra që të ketë një rekomandim pozitiv.

Edhe njëherë nuk dua të përmend një datë fikse sepse varet edhe nga zgjuarsia politike, që do të thotë që të bësh hapin e duhur në momentin e duhur për të paraqitur një raport nga ana e Komisionit e shteteve anëtare, i cili të pranohet nga shtetet anëtare në momentin e duhur. Pra, rëndësi ka të jemi cilësor dhe jo të shpejtë. Pra, prioritet merr cilësia dhe jo shpejtësia. Synimi tek e fundit është që të marrim mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare për ta bërë dhe hapin tjetër, pra hapin e radhës”, tha Hahn.

Azilkërkuesit

Numri i lartë i azilkërkuesve është shqetësim për vendet e Bashkimit Europian, theksoi dje komisionari Hahn. Ai theksoi se disa vende të BE-së janë prekur nga azilkërkuesit, ndërsa siguroi që shqiptarët nuk do të fitojnë azil. “Disa vende anëtare të Bashkimit Europian janë prekur si të thuash nga azilkërkuesit, por këto vende po i njohin përpjekjet që kanë bërë autoritet shqiptare, të cilat i kanë filluar këto përpjekje për ta ulur, për ta kufizuar numrin e azilkërkuesve, sepse dëshiroj ta them dhe publikisht nuk do të ishte fare realiste që të besohej se çdokush mund të merrte azil si shqiptar në Bashkimin Europian.

Është e kotë të shkoni në vendet e Bashkimit Europian për të kërkuar azil, sepse dëmtoni nga ana diplomatike edhe vendin tuaj. Prandaj ne i mirëpresim përpjekjet e autoritet shqiptar për ta kufizuar numrin e azil kërkuesve, por edhe për të frenuar këdo që mendon se ka mundësi për të marrë azil në shtetet e Bashkimit Europian. Sepse përndryshe kjo do të tregonte se vendi nuk është pjekur ende për BE-në, që nuk është e vërtetë. Megjithatë mbetet ende punë për të bërë”, tha komisioneri. Ndërkaq, lidhur me këtë reagoi edhe kryeministri Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se shqiptarët që duan azil në vendet e BE-së duhet të trajtohen si njerëz që kërkojnë vende pune.

Sa i përket raportit të Holandës për Shqipërinë dhe kërkesës së saj, ende të pazyrtarizuar, për rivendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, Rama tha se e gjitha është një propagandë politike dhe mediatike e vendeve të BE-së për ti treguar shqiptarët me gisht. “Unë dua ta them këtu për opinionin publik, që unë refuzoj të pranoj shenjëstrimin e shqiptarëve, qofshin ata azilkërkues, qofshin ata që kryejnë krime në zonën e BE-së, si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë”, tha Rama.

“Nëse ka kriminelë në Europë, ata kanë të gjitha pasaportat e mundshme dhe çdo shtet duhet t’i trajtojë si të tillë, t’i çojë përpara drejtësisë, por identifikimi dhe propagandimi i etnisë së kriminelëve nuk ka lidhje me Europën që kemi dhe me Europën që duam. Ka lidhje vetëm me axhenda politike dhe mediatike në një Europë që kalon një periudhë turbullire në raport me të ardhmen e vet”, shtoi Rama lidhur me raportin që kanë autoritet holandeze.

Basha: Rama, përgjegjës për eksodin e shqiptarëve

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar dje lidhur me takimin që zhvilluan kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Durrës, ku u theksua edhe një herë shqetësimi për numrin e lartë të shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. “Shqiptarët ikin për të shpëtuar veten dhe fëmijët e tyre nga varfëria dhe injoranca; ikin për të shpëtuar nga droga dhe krimi që pasi pushtoi politikën, tani po pushton ekonominë duke u bërë kërcënim për pronën dhe jetën e çdokujt.

Shqiptarët ikin nga vendi ku qeveria dhunon në mënyrë sistematike të pamundurit dhe të pambrojturit dhe favorizon e mbështet vetëm kriminelët dhe grabitqarët. Rama vetë nuk është komentator, ai është në fakt përgjegjësi kryesor për eksodin masiv te shqiptarëve, për krimin e veshur me pushtet dhe për Shqipërinë e mbushur me drogë.

Ndaj dita ditës po shtohen raportet dhe vendet europiane që tregojnë atë dhe qeverinë e tij me gisht për kanabizimin dhe kriminalizimin e vendit. Vetëm të bashkuar dhe të vendosur për tu përballur me të keqen mund ta ndryshojmë qeverisjen dhe jetën tonë. Shqipëria ka mundësi të mëdha për të gjithë, nëse qeveriset mirë”, reagoi kreu i opozitës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme