Përmes një dokumenti të vitit 1962, CIA ka treguar një panoramë të situatës politike, ekonomike dhe gjeografike të Shqipërisë Komuniste.
Aty jepen detaje se si ishte e ndërtua ekonomia e vendit, pozita gjeografike dhe popullsia. Një detaj interesant është se minoritarët greke zunë poste të mira në qeverinë komuniste, por që më pas u spastruan nga regjimi.
Viti 1962
Projekt prezantim
Analizë e Shqipërisë, lidhjet me rajonin
Shqipëria është një vend eremit që jeton mes maleve të ashpra dhe kënetave të infektuara, e cila lakmohet për territoret e saj nga fqinjë armiqësorë. Megjithëse jemi në shekullin e 20-të ajo ruan një strukturë shoqërore feudale e tribale. Ajo fitoi pavarësinë pas fqinjëve të saj dhe atëherë pa pasur një identitet të sajin kombëtar, prandaj Shqipëria ka mundur të ekzistojë si shtet vetëm falë mbështetjes së botës së jashtme, dhe deri në një farë mase, prej dyshimeve të ndërsjellta mes fqinjëve të saj. Qeveri të ndryshme shqiptare kanë kërkuar ndihmë nga jashtë për modernizimin e ekonomisë së saj dhe për mbrojtje nga fqinjët, por nuk ka hezituar të ndryshojë sponsorët e saj herë pas here. Por dobësia e Shqipërisë dhe mundësia e dominimit të huaj është kthyer në një burim frike nga fqinjët. Italia e ka përdorur Shqipërinë si një urë për dominimin e Ballkanit, në kurriz të Greqisë dhe Jugosllavisë, ndërsa gjatë kohës së dominimit jugosllav Shqipëria ishte baza kryesore e nisjes së guerrilasve komunistë drejt Greqisë. Prej fundit të Luftës së Dytë Botërore deri në prishjen mes Hoxhës dhe Krushovit, baza detare e Pasha-Limanit në Vlorë arma e kontrollit të flotës ruse në Mesdhe, edhe vlera e saj ishte e kufizuar për BRSS prej izolimit gjeografik të Shqipërisë nga pjesa kontinentale e bllokut sovjetik. Gjatë periudhës aktuale të tranzicionit, kur Kina po zëvendëson BRSS si kujdestare politike dhe ekonomike e Shqipërisë, regjim i Hoxhës po kërkon marrëdhëniesh tregtare edhe me botën perëndimore, por kjo përsëri shihet me dyshim nga Italia, Jugosllavia e Greqia, prej hegjemonisë së Kinës dhe mundësisë së boshllëkut të pushtetit. Në mendësinë dhe veprimet e tyre, qeveritë shqiptare kushtëzohen nga mjedisi i faktorëve politikë në Ballkan si kushtet gjeografike, xhelozia e fqinjëve për pavarsinë e tyre dhe nevojë për shfrytëzim më të madh të burimeve për mbështejen e popullsisë në rritje.
Gjeografia
Rreth një e treta e territorit të Shqipërisë janë fusha bregdetare dhe pjesë tjetër është territor malor në brendësi. Fushat e saj janë toka të egra të pabonifikuara dhe kodra të ulëta. Megjithëse janë të mbushura me këneta e laguna, puna e drenazhimeve ka nisur. Pesë nga gjashtë qytet më të mëdha janë ose në bregdet ose në territorin e brendshëm pranë tij, siç është rasti i kryeqytetit Tirana. Dy të tretat malore të territorit kanë natyrë të ashpër me bimësi të vogël dhe pak pyje. Lëvizja në brendësi të territorit është e vështirë. Zona më prodhimtare e vendit është baseni i Korçës në juglindje ndërsa lumenjtë e shumtë krijojnë mundësi për zhvillime hidroelektrike. Deri tani zhvillimet më të rëndësishme janë diga e Ulzës dhe rezervuari i lumit Mat. Terreni i Shqipërisë është i ngjashëm me atë në kufijtë e Greqisë dhe Jugosllavisë, dhe në shumë vende këto shtete ndahen nga barriera të larta malore. Por barrierat kanë pika të ulëta luginash të lumenjve ku nuk ka pengesa të mëdha. Në jug malet ruajnë një orientim juglindor lartësie drejt kufirit grek, dh lugina e Vjosës dhe dega e saj e Drinos kalojnë nga qyteza greke e Janinës. Lëvizja në pjesën qendrore të kufirit grek ndërpritet nga vargmali i Gramozit, por më në veri, zonat e ulëta të Korçës e Bilishtit hapen drejt luginës Aliakmon në Greqi. Ndërsa baseni i liqenit të Ohrit dhe lugina e Drinit të Zi hapin kalime drejt Jugosllavisë. Ky terren e ashpër, veçanërisht në veri të vendit ka ndihmuar në ruajtjen e një mënyre jetese që daton prej kohërave të lashta. Izolimi i zonave të brendshme ka ndikuar shumë në paraqitjen klanore e primitive të shqiptarëve, por gjithsesi malet nuk kanë mundur të ndalojnë përzierjen e grupeve etnike në periferitë e kolonive etnike shqiptare.
Popullsia
Në viti 1960, popullsia e Shqipërisë ishte 1 625 000 banorë dhe rritet me 3 për qind çdo vit, më shumë se çdo vend tjetër në Evropë. Më shumë se 70 për qind e vendit janë fermerë, por nisja e industrializimit është shoqëruar me rritje të popullsisë urbane (nga rreth 21 për qind në 1945 në 31 për qind në vitin 1960) dhe gjithashtu qyteza e komunitete të reja po krijohen pranë minierave dhe impianteve të reja industriale. Rreth 96 për qind e popullsisë i përket grupit etnik shqiptar, ndërsa pjesa tjetër janë grekë, vllahë (barinj rumanisht-folës), egjiptianë, hebrenj dhe sllavë. Rreth 800 000 shqiptarë etnikë jetojnë në pjesët kufitare të Jugosllavisë. Shqiptarët përbëjnë në nga grupet më të vjetra etnike të Ballkanit, dhe prezenca e tyre në rajon daton para kohërave greko-romake. Shpërndarja e tyre aktuale është rezultat i periudhës së hershme otomane, ku shqiptarët, shumica e të cilëve u konvertuan në fenë islame, avancuan drejt lindjes nga qendra e tyre e Shqipërisë së sotme, duke zhvendosur kristianët e mundur serbë, nga rajonet e Kosovës. Në veri shqiptarët janë përzier gjithashtu me malazezët, ndërsa në juglindje ata bëjnë pjesë në mozaikun e ngatërruar etnik të Maqedonisë. Në jug, në zonën e Epirit, ata u përzjenë me grekët dhe vllahët. Vetëm dekadat e fundit Shqipëria ka nisur procesin e integrimit në një komb të unifikuar, pasi tradicionalisht ata janë ndarë në fise tribale, grupe rajonale, fetare apo klasore. Një karakteristikë dalluese e shoqërisë shqiptare është sensi i fortë i besnikërisë ndaj familjes. Shoqëria shqiptare ka pasur më parë strukturë fisnore me një lider fisnor që respektohej më shumë se ata fetarë. Në terrenin më të vështirë e më pak të populluar verior, kjo strukturë i ka mbijetuar dhe regjimit komunist që erdhi pas vitit 1944. Këtu mbizotërojnë zakonet tribale të martesës dhe pronës, ashtu si dhe ligjet e gjakmarrjes. Rezistenca ndaj qeverive qendrore ka qenë përherë zakon. Ndërsa në zonat qendrore dhe jugore, struktura tribale ishte prishur që prej regjimit otoman. Këtu shoqëria u nda në klasa si pronarë tokash, qiraxhinj tokash, dhe pak tregtarë e artizanë. Gjithsesi mbetën disa familje apo zakone tribale. Sipas rajoneve, shqiptarët ndahen në Gegët në veri dhe Toskët në jug, me një kufi të përafërt vijën e lumit Shkumbin. Dy grupet flasin dialekte te ndryshme. Gegët në veri janë relativisht më të izoluar dhe më konservatorë. Ndërsa toskët kanë pasur më shumë kontakt me botën e jashtme dhe janë më të ndjeshëm ndaj rrymave politike. Komunizmi ka gjetur më shumë mbështetje te toskët sesa te gegët. Ndër grupet fetare, myslimanët përbëjnë më shumë se 70 për qind të popullatës dhe shtrihen në të gjithë vendin. Edhe kristianët ortodoksë janë të shpërndarë por disi më shumë janë të përqendruar në jug. Ata përbëjnë rreth 15 për qind. Kristianët katolikë përbëjnë rreth 7-8 për qind dhe jetojnë vetëm në veri. Nën impaktin e regjimit komunist, struktura e shoqërisë shqiptare ka pasur ndryshime të ndjeshme që do të thotë se fisnikëria e vjetër e pronarëve të tokave është zëvendësuar nga klasa e re e anëtarëve dhe funksionarëve të partisë komuniste. Kolektivizimi i bujqësisë, rritja e punësimit industrial dhe emigrimi drejt qyteteve e qytezave ka kontribuar në thyerjen e parokializmit dhe lidhjes së familjes, por mendësitë bazë duket se ndryshojnë shumë ngadalë. Lidhjet familjare ende zënë një vend parësor, edhe mes elitave komuniste.
Demografia
Grekët përbëjnë grupin më të madh minoritar në Shqipëri, dhe jetojnë kryesisht në Korçë, Gjirokastër e rajone të tjera të juglindjes por nuk janë të shpërndarë në mënyrë uniforme në atë që prej grekëve quhet “Epiri i Veriut”. Kjo e fundit është hapësira prej rreth 3000 milje katrorë e pretenduar nga Greqia që prej pavarësisë së Shqipërisë. Burimet greke në vitet 1940 thonë se popullsia greke në këto zona arrin në 120 000, bazuar në numrin e besimtarëve të fesë ortodokse, pa marrë parasysh nëse ata ndjehen grekë apo shqiptarë. Në kohën e Luftërave Ballkanike (1912-13) kur Greqia pushtoi Epirin e Veriut shumica e ortodoksëve shqiptarë preferonin të ishin nën sovranitetin grek, por me kalimin e kohës ata kanë pranuar kombësinë shqiptare. Në vitin 1945 burime shqiptare llogarisnin numrin e grekëve në pak më shumë se 35 000, që duket si një shifër e arsyeshme nëse zbresin numrin e ortodoksëve shqiptarë. Raportimet mbi trajtimin e minoritetit grek nga regjimi Hoxha janë kontradiktore. Disa nga vetë liderët e lartë të Partisë Komuniste janë me origjinë greke. Ndoshta prej mungesës së shqiptarëve etnikë të studiuar, profesionistë të minoritetit grek janë vënë në postet e mesme të burokracisë dhe të Universitetit të Tiranës. Raportohet se disa grekë të rangut të mesën janë spastruar gjatë fushatave të fundit të vitit 1960. Thuhet gjithashtu se grekët kanë vazhduar të kenë shkolla dhe gazeta të tyre, me të drejta të barabarta me shqiptarët. Ndërsa dezertorët grekë që kalojnë kufirin raportojnë se minoriteti jeton në kushte shtypjeje, por në fakt shtypja kryesore është e regjimit komunist dhe jo e shumicës shqiptare. Komuniteti mysliman shqiptar që më parë ka jetuar në zonën e Epirit të Veriut, quhen çamë. Gjatë luftës së Dytë Botërore ata u përzunë nga Greqia (burimet greke thonë se ata u larguan vullnetarisht) dhe tashmë jetojnë në pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Numri i tyre llogaritet në 15 deri në 20 mijë. Ata thuhet se nuk janë asimiluar me popullatën lokale dhe shumica e tyre preferojnë të kthehen në Greqi. Shumë njerëz nga Greqia veriore gjithashtu kanë ardhur në Shqipëri gjatë luftës civile greke (1946-1949). Prej tyre vetëm 500 refugjatë janë riatdhesuar. Minoriteti i vogël sllav në Shqipëri përfshin një komunitet malazez në tokat pranë liqenit të Shkodrës, të shpërndarë në disa komunitete serbe përgjatë kufirit lindor, si dhe një komunitet pranë liqenit të Prespës. Ky i fundit përkufizohet si bullgar ose maqedonas, por informacionet janë të pakta e të pasakta. Zyrtarët jugosllavë pretendojnë se qeveria shqiptare po përpiqet t’i shkombësojë këto grupe duke i mohuar shkollat në gjuhën e tyre. Në 1961, raportohej se banorët sllavo-folës të veriut të Shqipërisë po zhvendoseshin drejt Fierit, në rajonin bregdetar, por masa të tilla janë marrë shpesh nga qeveria komuniste në kuadër të shtrëngimit të sigurisë kufitare, dhe jo për arsye etnike.
Veriu
Kur u përcaktuan kufijtë e Shqipërisë në 1913 një numër i madh i shqiptarëve në veri dhe në lindje, mbetën jashtë shtetit të ri. Ata u përqendruan në rajon autonom të Kosovës në Jugosllavi ku përbëjnë rreth 70 për qind të popullsisë. Shqiptarët dhe serbët debatojnë prej kohërave të mesjetës për përkatësinë e rajoneve të Kosovës, të quajtura ndryshe dhe Kosmet. Gjatë luftërave ballkanike dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët dhe serbët kanë vrarë njëri-tjetrin, sipas periudhave që kanë favorizuar secilën palë. Shqiptarët përbëjnë gjithashtu rreth 15 për qind të popullsisë së Republikës Jugosllave të Maqedonisë, të përqendruar kryesisht në luginën e Vardarit, dhe rreth 6 për qind të republikës së Malit të Zi, të përqendruar pranë kufirit shqiptar në verilindje të liqenit të Shkodrës.
(Shënim: Në terminologjinë jugosllave maqedonasit trajtohen si kombësi e veçantë maqedonase, ndërsa Bullgaria i konsideron ata një nën-degë e kombësisë bullgare.)
Jugosllavia
Brenda në Jugosllavi shqiptarët janë nga grupet më pak të privilegjuara dhe rajonet ku ata jetojnë janë më të pazhvilluarat në vedn. Të ardhurat për kokë në zonën e Kosmet (Kosovë) janë më pak se gjysma e setaraes kombëtare. Gjithashtu në Kosmet, shqiptarët jetojnë në zona më malore, ndërsa jugosllavët jetojnë në tokat më pjellore e më të ulëta, ose në qytete. Por përqindja e lindjeve te shqiptarët është shumë më e lartë se ajo në Jugosllavi dhe numri i fshatarëve për njësi toke të kultivuar në zonën e Kosovës, është më i larti në vend. Shqiptarët kanë emigruar nga Kosova drejt zonave më të zhvilluara të Jugosllavisë, megjithëse aty paragjykohen dhe refuzohen. Në Beograd për shembull shqiptarët punojnë me qymyr, me plehrat, ose punë të tjera që askush nuk i preferon. Por shqiptarët në Jugosllavi janë më mirë materialisht sesa bashkëkombësit e tyre përtej kufirit, edhe pse nostalgjia e tyre për atdheun është e madhe, gjë që është shfrytëzuar shumë politikisht nga regjimi i Hoxhës. Qeveria jugosllave ka bërë shumë përpjekje për të përmirësuar jetesën e minoritetit shqiptar. Rajoni i Kosovës krijua për të njohur statusin e shqiptarëve si kombësi. Shqiptarët kanë të drejta qytetarie, gjuha e tyre njihet zyrtarisht dhe janë vendosur edhe mësues shqip-folës në disa shkolla fillore. Ka gjithashtu disa publikime në gjuhën shqipe. Në Kosovë janë hapur disa fabrika të vogla industriale dhe kanë nisur të shfrytëzohen rezervat minerare të vendit. Në të vërtetë, Jugosllavia po konkurron me Shqipërinë për anësinë që ka apo do të marrë minoriteti i saj në Kosovë. Prandaj tentativat shqiptare për nxitjen e pakënaqësive në Kosovë kanë bërë të shtohen përpjekjet jugosllave për përmirësimin e jetës aty.
Burimet dhe zhvillimi ekonomik
Shqipëria me asistencën sovjetike ka nisur fazat e para të industrializimit por është ende një vend kryesisht bujqësor që nuk prodhon dot ushqim të mjaftueshëm për popullatën e saj në rritje të shpejtë. Rreth 72 për qind e forcës punëtore është e angazhuar në bujqësi. Megjithatë, prej terrenit kryesisht malor dhe punës së vogël të drenazhimit e bonifikimit, vetëm 15 për qind e tokave konsiderohen të kultivueshme, ndërsa lëndinat e kullotat përbëjnë një tjetër 27 për qind. Tokat më të mira bujqësore janë ato bregdetare dhe të zonës së Korçës, ku është shtuar puna e bonifikimit dhe po rritet masa e tokave të kultivueshme. Ndërsa mundësitë e rritjes së tokave të kultivuara në veri është e kufizuar.. prandaj Shqipëria ka problem në arritjen e vetëmjaftueshmërisë së ushqimit, që është dhe objektivi i planit të tretë pesë-vjeçar (1961-1965) të qeverisë. Mesatarja e ushqimit prej rreth 2000 kalori në ditë është më e ulëta në Evropë, dhe vendi është i varur nga importet e grupit. Prodhimet më të rëndësishme janë misri, gruri, drithëra të tjera, pambuk, duhan dhe panxhar sheqeri, kjo e fundit kryesisht në basenin e Korçës. Këto mallra furnizojnë industritë e lehta të vendit, ndërsa duhani dhe cigaret janë mes sendeve kryesore të eksportit. Industritë e nxjerrjes së mineraleve në Shqipëri, përveç disa përjashtimeve, janë me rëndësi të vogël për bllokun Kinë-Sovjetik, por janë shumë të rëndësishme për vetë vendin, pasi prodhojnë eksporte dhe material për industritë e brendshme. Përveç Rumanisë, Shqipëria është vendi i vetëm i bllokut evropian për ka suficit të prodhimit të naftës bruto, ndërsa rezervat e saj të naftës besohet se janë të ulëta. Prodhimi shqiptar i kromit dhe nikelit jep kontribut të konsiderueshëm për furnizimin e bllokut Kinë-BRSS. Vendi prodhon një të pestën e furnizimit të bllokut me krom dhe tejkalohet për prodhimin e tij vetëm nga BRSS. Mineralet e kromit renditen për Shqipërinë në vlerë të ngjashme me eksportet e cigareve dhe duhanit. Rezervat e kromit janë diku te 3 deri në 6 milionë ton. Puna minerare për nxjerrjen e nikelit nisi në 1958 de prodhimi raportohet se ka arritur në 154 000 ton në 1961. Një impiant përpunimi në Çekosllovaki pritet të abrobojë prodhimin shqiptar. Rezervat totale të nikelit në Shqipëri llogariten në rreth 20 milionë ton. Punohet për nxjerrjen e një sasie bakri dhe një pjesë e vogël shkon për eksport. Prodhimi i qymyrit të drurit është thuajse i mjaftueshëm për nevojat e brendshme. Disa burime shqiptare pretendojnë se depozita të reja natyrore bakri, hekur-nikeli dhe qymyri, janë zbuluar në 1961. Nga materialet e bollshme të ndërtimit, vetëm asfalti (natyral dhe i përpunuar) prodhohet në sasi të mjaftueshme për eksport. Shqipëria nuk prodhon mjaftueshëm materiale të tjera ndërtimi që plotësojnë nevojat e saj. Nga pyjet merret druri i zjarrit dhe i industrisë së mobiliev.
Industria tekstile
Regjimi komunist ka shtuar numrin e industrive të lehta tekstile, të veshjeve, të lëkurës, qeramikës dhe të xhamit. Prodhimi elektrik në Shqipëri është shumë i ulet por ka pasur rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit. Potenciali hidroenergjetik i vendit është i madh. Një pengesë kryesore për zhvillimin industrial të vendit është sistemi i varfër i transportit dhe rrugëve. Qytetet kryesore të zonave fushore bregdetare lidhet me rrugë të vogla asfalti ndërsa shumica e rrugëve të brendshme janë në rastin më të mirë me zhavorr. Zonat bregdetare naftëmbajtëse kanë lidhje të këqija rrugore dhe kjo vështirëson lëvizjen e materialeve drejt dhe prej tyre. Disa rugë ndërkufitare me Jugosllavinë e Greqinë thuajse nuk kanë fare trafik.
Varësi nga BRSS
Varësia e Shqipërisë ndaj ndihmës sovjetike apo të vendeve satelite reflektohet në tregtinë e jashtme. Në vitin 1959 BRSS dhe vendet satelite furnizuan Shqipërinë me 95 për qind të importeve të saj, dhe megjithë prishjen me Moskën, tregtia e Shqipërisë me vendet e tjera komuniste ka vazhduar. Shqipëria do të vazhdojë kërkimin e asistencës nga jashtë, sidomos për importin e drithërave dhe modernizimin e ekonomisë. Ky prezantim për Shqipërinë është vlerësuar nga ekspertët tanë, të cilët besojnë se vendi do të mbetet disi “i nxehtë” dhe problematik për disa kohë. Ne mendojmë se çështja e minoriteteve në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët mund të jenë një pikë e leverdishme, siç ekzistenca apo jo e një minoriteti grek në Epirin e Veriut, dhe nëse Hoxha është duke trazuar ujerat me pretekstin e autonomisë së shqiptarëve në Jugosllavi. Projekt propozimi nuk sugjeron diskutime të veçanta për aspektet e ndryshme të çështjes. Ulja e vlerësimit për Shqipërinë nga Krushovi dhe mbrojtja shqiptare nga Kina komuniste, vënë në dyshim vetë të ardhmen e Shqipërisë. A do t’i rezistojë regjimi i Hoxhës presionit sovjetik vetëm me asistencën kineze? Po nëse në vend vendoset një regjim më i favorshëm ndaj Moskës, çfarë pasojash do të kishte kjo në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, Greqinë dhe Perëndimin? Po nëse ndodh ekstremi dhe vendoset një qeveri anti-komuniste pro-perëndimore, si do ndikonte kjo te marrëdhniet e fqinjëve të saj me Perëndimin? Për këto pyetje duhen më shumë ekzaminime të kontekstit gjeografik, lidhjeve të Shqipërisë me fqinjët dhe vende të tjera.
Ndër faktorë që kontribuojnë në destabilitetin e brendshëm janë:
1. Masa aktuale e ndërgjegjësimit kombëtar, sipërkundër atij lokal dhe fisnor
2. Rivaliteti i mundshëm mes toskëve dhe gegëve
3. Feja si një faktor destabiliteti: Myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe masa e antagonizmit të regjimit komunist ndaj secilit prej tyre
4. Zhvillimi i ulët ekonomik, transportet, terreni, burimet
Në lidhje me fqinjët:
1. Lidhjet e transportit me Jugosllavinë e Greqinë
2. Minoriteti shqiptar në Jugosllavi dhe anasjelltas
3. Pretendimet territoriale greke
4. Minoriteti grek në Shqipëri dhe anasjelltas
5. Interesat italianë dhe vendeve të tjera perëndimore
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...