Hahn merr pjesë në takimin e kryeministrave në Durrës

13:39 | 25 Gusht 2017
arbresh.info

Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, do të udhëtojë në Durrës, Shqipëri, të shtunën më 26 gusht, për të marrë pjesë në takimin joformal të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor Gjashtë, shkruan arbresh.info. 

Këtë e ka bërë të ditur BE-ja, dhe në njoftimin për medie thuhet se fokusi i takimit do të jetë në rritjen e zbatimit të angazhimeve të marra në Samitin e Triestes në korrik 2017, veçanërisht në planin e veprimit për thellimin e integrimit ekonomik rajonal.

“Zona Ekonomike Rajonale e dakorduar në Samitin e Triestes do të ofrojë mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët ashtu dhe për të forcuar rritjen dhe vendet e punës,” thuhet në komunikatën e BE-së.

Hapat e ardhshëm konkret sipas BE-së, përfshijnë njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, identifikimin dhe heqjen e burokracisë dhe pengesave rregullatore që pengojnë tregtinë dhe investimet në rajon, ngritjen e një dialogu rajonal mbi transformimin digjital dhe nisjen e negociatave për një mekanizëm të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Komisioni Evropian fuqimisht mbështet bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor si një pjesë integrale e perspektivës së tyre të pranimit në BE, nëpërmjet investimeve të konsiderueshme në lidhjen e infrastrukturës, ekonomive dhe njerëzve brenda vetë rajonit dhe midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme