Google ADS

Alarm për terrorizëm

10:09 | 25 Gusht 2017
Arbresh.info

Sulmet në Barcelonë kanë tronditur mbarë botën ndërsa vendet të ndryshme të cilat ende nuk janë prekur nga sulme të tilla kanë marrë masa shtesë për sa iu përket kërcënimeve që vijnë nga organizatat terroriste. Edhe pse Shqipëria nuk është në listën e vendeve të “lakmuara” nga sinjalet e grupit që thuhet se orientojnë sulmet nëpër vende të ndryshme të Europës. Kështu prej më shumë se një jave policia jonë ka nxjerrë në gatishmëri skuadrën e Antiterrorit ndërsa bëhet me dije se masa konkretet janë marrë edhe nga ana e Shërbimeve Sekrete ku mësohet se mbahen nën kontroll jo vetëm persona me veprimtari të dyshimtë por edhe hyrje daljet në të gjitha pikat kufitare.

Rinasi dhe portet janë edhe vendet që kërkojnë vëmendjen më të madhe, ndërsa janë në një gatishmëri të lartë edhe sinjalet që vijnë nga partnerët ndërkombëtar të shërbimeve sekrete. Policia e Shtetit vetëm ditën e djeshme ka dhënë disa detaje mbi masat shtesë që lidhen me kërcënimet e mundshme në të gjithë Europën, ndërkohë që masat për të cilat flet policia janë marrë që mbrëmjen e ditës kur u godit Barcelona nga disa persona, ndërsa u tha se në fokus të sulmeve të rrallës do të jetë edhe Italia.

Duke pasur parasysh faktin që është kulmi i sezonit verior, bëhet me dije se masat janë rritur në çdo vend ku ka grumbullime të mëdha njerëzish dhe turistësh, ndërkohë që ditën e djeshme masa konkrete u panë në të gjithë Tiranën dhe orëve të pasdites në Elbasan, atje ku do të zhvillohej edhe ndeshja e futbollit mes Skënderbeut të Korçës dhe Dinamos së Zagrebit.

Policia

Sulmet terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimet për sulme të tjera nga ISIS, kanë bërë që Policia e Shtetit të marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe kufirit. Kështu, do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentëve në terren, si dhe do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike dhe siguria e trupit diplomatik. Gjithashtu, do të forcohen masat e kontrollit në Pikat e Kalimit Kufitar si portet dhe aeroporti, por edhe në kufirin e gjelbër për personat që konsiderohen me risk, që dyshohet se lëvizin me mjete dhe sende të kundraligjshme.

Edhe strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale, por edhe lidhjet e tyre. Uniformat blu kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist, me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar. Po ashtu, policia fton qytetarët që për çdo dyshim për persona objekt i kësaj veprimtarie të denoncojnë në numrat 112 dhe 129.

Njëkohësisht mësohet se Policia e Shtetit përveç sektorëve të posaçëm në shërbim të të dhënave konkrete ka vendosur edhe një sërë strukturash të tjera ndërsa bëhet me dije se po mbahen nën vëzhgim të gjithë elementët e dyshimtë të cilët ose kanë pasur lidhje me grupet e xhihadit ose janë pikasur kohëve të fundit si të dyshimtë në këtë lidhje. Kujtojmë se në qeli gjenden disa persona të vënë nën akuza të rëna që lidhen me çështjet e terrorizmit, të cilët kanë marrë edhe dënimet nga Gjykata ndërkohë që një vit më parë u tha se u godit një tjetër celulë që gjendej në vendin tonë dhe se shërbimet e huaja e kishin pikasur si të dyshimtë për të kryer sulme në stadiumin e Shkodrës.

Edhe pse të arrestuarit nuk e kanë pranuar kurrë një akuzë të tillë, prokuroria e Krimeve të Rënda që ka hetuar çështjen i ka lënë në qeli duke iu faturuar një prej ngjarjeve më të rënda, ku ekzistonte frika dhe informacioni se do të kryhej nj sulm i njëjtë me atë të Francës, ku katër sulme njëherësh tronditën gjithë botën. Izraeli që kishte për të luajtur ndeshjen në Shkodër refuzoi të luante në atë stadium ndërsa informacion të ndryshme bënë me dije aso kohe se nuk bëhej fjalë për ndeshjen por për Meshën e Madhe për Martirët në Katedralen e Shkodrës. Megjithatë asnjëherë nuk u bë me dije nga ana e Prokurorisë dhe e Policisë se si do të sulmoheshin njerëzit edhe pse arrestimet u kryen në tri shtete njëherësh,raporton shekulli.al

Bashkëpunimi me Kosovën

Për vitin e dytë radhazi Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në bashkëpunim me Inspektoriatin Policor të Kosovës (IPK) kanë zhvilluar inspektime të përbashkëta në kuadër të vlerësimit të performancës së patrullimit të përbashkët të dy Policive Rrugore gjatë sezonit veror. Inspektimi është përqendruar në akset Rrëshen- Milot, Milot-Lezhë dhe Lezhë- Shëngjin, aty ku janë stacionuar edhe patrullat rrugore të përbashkëta.

Gjatë inspektimit specialistët e SHÇBA-së dhe IPK-së kanë zhvilluar pyetësor me qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve në lidhje me sjelljen e policisë së dy vendeve. Vlerësimi i qytetarëve për sa i përket sjelljes së patrullave të përbashkëta të Policive Rrugore ka qenë pozitiv. Inspektorët e SHÇBA dhe IPK kanë konstatuar se ka qytetarë të cilët nuk janë të informuar për sa i përket institucioneve ku ata mund të ankohen në rast të sjelljes jo korrekte nga ana e punonjësve të policisë. Në përfundim të patrullimit të përbashkët të dy Policive Rrugore, SHÇBA dhe IPK do të dalin me një raport të përbashkët ku do të paraqiten rekomandimet dhe vërejtjet për këtë proces.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme