Google ADS

Ambasadorja shqiptare: Nuk ka rikthim vizash nga Holanda

23:19 | 24 Gusht 2017
Arbresh.info

Adia Sakiqi, ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, shprehet se nuk ka asnjë raport apo shqetësim nga autoritetet holandeze për lëvizjen e shqiptarëve në zonën “Shengen”, apo mundësisë së rikthimit të regjimit të vizave.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zonja Sakiqi e sheh normale dhe pjesë të aktivitetit parlamentar interesimin e deputetëve holandezë për shkrimin e gazetës “De Telegraaf” dhe zhurmën e bërë në mediet shqiptare.

Zonja ambasadore, gazeta holandeze “De Telegraaf” pak ditë më parë, nisur nga një raport i Policisë së Amsterdamit, hedh idenë për një vendim të mundshëm politik për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët. A keni pasur ju shqetësime nga autoritetet holandeze për këtë çështje?

Fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë shqetësim nga autoritetet holandeze. Ambasada jonë kontaktoi me Ministrinë e Sigurisë dhe Drejtësisë holandeze, pasi lexuam artikullin jo në gazetën “De Telegraaf”, në Holandë, por përkthimin e deformuar që i ishte bërë në Shqipëri, pasi në gazetë thuhej qartë që ky dokument i policisë nuk i ishte dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë. Ne kërkuam versionin zyrtar nga Ministria Holandeze dhe ata na siguruan se nuk kanë marrë asnjë raport nga policia në lidhje me aktivitete të kriminelëve apo keqbërësve nga shqipfolësit.

Unë kontaktova dhe me Ministrinë e Jashtme Holandeze, ku fola me koordinatoren për zgjerimin në BE, e cila më siguroi se raporte të tilla nuk ka, sepse nëse do të kishte ai duhej të kishte ardhur në linjë zyrtare, siç kanalizohen të gjitha komunikimet në shtetet demokratike. Nëse një gazetë shkruan në lidhje me veprimtarinë e keqbërësve shqiptarë në Amsterdam, ajo është diçka tjetër. Nga gjithë kjo shumë zhurmë për asgjë, kam nxjerrë një mësim në heshtje dhe dua t’i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që lëvizjen e lirë pa viza ta ruajmë dhe ta përdorim me dinjitet. Sepse çdo abuzim i vogël mund të na krijojë kosto. Sepse Europa po ballafaqohet me një populizëm, me një mosdashje ndaj të huajve duke e bërë si trend.

Holanda ka parti populiste, që bëjnë thirrje çdo ditë që të shpërbëhet Europa, të ndalohet BE-ja, të mos bëhet më fjalë për zgjerim të vendeve si Ballkani Perëndimor, ndërsa ne e shohim BE si oksigjen. Por edhe politika të jetë më e kujdesshme dhe të mos spekulojë ndaj këtyre të drejtave të fituara në 2010 që qeveria dhe autoritetet e zbatimit të ligjit punuan shumë fort, sepse në fund ata që humbin janë shqiptarët.

Çfarë shkruante kjo gazetë për Shqipërinë?

Ajo tregonte për një keqbërës shqiptar që është ndaluar në Roterdam apo Amsterdam. Nga ky rast, gazeta përgjithësonte këtë rast me një rrezik të mundshëm shqiptar në Holandë. Por nuk ishte më shumë faji i “De Telegraaf” sesa i keq përkthimit të gazetave shqiptare që fjalën “mendim” të një polici e përktheu në “vendim” të Holandës për vendosjen e vizave.

Në Amsterdam, ku ndodhin dhe krimet më të shumta, ka rreth 180 nacionalitete që jetojnë aty, me problematikat e tyre, ku raportohen edhe nga “De Telegraaf” për krime të boshnjakëve, ukrainasve, rusëve, por dhe holandezëve etj. Historitë shqiptare zënë shumë pak vend në kronikën e zezë holandeze. Shkak për këtë shkrim u bë arrestimi i një keqbërësi shqiptar, i cili me sa duket zbuloi disa plane të mundshme që mund të realizoheshin në Holandë. Policia ka bërë një Memo të brendshme e punës së përditshme të policisë.

Policia holandeze është shumë strikte, profesionale dhe punon me strategji parandaluese. Unë kur fola me Këshilltarin e Lartë për Politikat e Sigurisë, në Ministrinë e Drejtësisë dhe Sigurisë, në lidhje me artikullin e “De Telegraaf”, ai më tha pse po më shqetëson?! Çdo gjë është në rregull, s’ka asnjë shqetësim! Çfarë ka ndodhur që po më telefonon?! Unë i tregova për shkrimin e “De Telegraaf” për Shqipërinë. Ai më tha se nuk e kishte lexuar atë, megjithatë do të interesohem dhe pasi pyeti më tha se nuk ka asnjë raport të tillë duke më siguruar se ai është një raport i brendshëm i policisë.

Çfarë shqetësimesh me shqiptarët vijnë nga Ministria e Brendshme apo ajo e Jashtme e Holandës?

Shqetësimet i përkasin viteve të mëparshme për arsye të azilkërkuesve që kanë ardhur nga Shqipëria në kohën e krizës së refugjatëve në Europë. Shifrat ishin alarmante për një vend të vogël siç është Holanda, sepse nuk është si Gjermania apo Franca. Ne patëm një bashkëpunim intensiv me Ministrinë e Drejtësisë dhe Sigurisë të Holandës, ata kanë ardhur shpesh në Tiranë.

Zoti Haki Çako ka qenë në Holandë bashkë me zyrtarë të lartë të Policisë Kufitare. Në fakt, në Holandë kemi vizita të shpeshta nga zyrtarë të lartë jo vetëm prej bashkëpunimit të mirë, por edhe se Europol e ka selinë në Hagë. Shumë shpejt presim të tjera delegacione të larta të policisë së shtetit në Hagë.

Edhe dje në mediet shqiptare kanë dalë faksimile të këtij raporti për të treguar se ekziston një raport i tillë. Si është e vërteta?

Jo të gjithë kuptojnë holandisht, por të paktën datat dimë t’i lexojmë. Ajo që unë pashë është një dokument i datës 22 gusht. Kur folëm në fillim për një raport të policisë, ai ishte i datës 19 gusht. Më 22 gusht është bërë një dokument nga tre parlamentarë, ku bëhen pyetje për vërtetësinë e informacionit të “De Telegraaf” dhe thotë: A është i vërtetë informacioni që jep gazeta “De Telegraaf” se ka 36 raste hetimore ndaj shqipfolësve?

Këto janë pyetje që parlamenti ia bën ministrive të ndryshme për çështje nga më të ndryshmet. Parlamenti holandez është shumë aktiv dhe kërkon vazhdimisht informacione nga institucionet për çdo çështje. Kjo nuk duhet të na shqetësojë se parlamenti po ndërmerr lëvizje ndaj Shqipërisë. Por jam e bindur se nxitjen e parlamentarëve holandezë për këtë çështje ia kanë dhënë më shumë interpretimi që i kanë bërë mediet shqiptare sesa gazeta holandeze.

Sepse në Shqipëri shkrimi i “De Telegraaaf” u bë temë e ditës. Parlamenti kërkon llogari nëse ka dalë fjalë këtu apo aty. Edhe fakti që në Shqipëri shkrimi i “De Telegraaaf” u bë temë e ditës, ka nxitur kureshtjen e parlamentarëve. Nuk ka asnjë raport, deputeti Omzigt, një deputet shumë aktiv dhe i impenjuar, i cili shkruan 4-5 letra në ditë për temat që mbulon në parlament ku i kërkon llogari instancave holandeze.

Si është situata me shqiptarët në lidhje me kërkesat për azil?

Situata është në optimumin e vet, në maj të këtij viti kishte vetëm 28 kërkesa për azil nga shumë kërkesa që ka pasur një vit më parë. Ne nuk jemi më në vendet e para të azilkërkuesve. Megjithatë edhe 28 kërkesa nuk duhet të ishin, por sot ka një bashkëpunim shumë të mirë mes institucioneve të Sigurisë dhe Policisë mes Shqipërisë dhe Holandës.

Ndërkohë që bëhet gjithë ky debat, një linjë ajrore holandeze është vendosur, Transavia, mes Tiranës dhe Amsterdamit. Si po ecën kjo linjë ajrore, a ka kërkesa për të udhëtuar drejt Shqipërisë?

Këtë verë marrëdhëniet Holandë-Shqipëri po arrijnë një kulm sepse ka një interes gjithnjë e në rritje për bashkëpunime ekonomike mes dy vendeve. Më 10 maj 2017, Transavia filloi fluturimin e saj të parë. Ne erdhëm me operatorë turistikë holandezë në Tiranë duke inauguruar këtë linjë, ata nuk e njihnin fare Shqipërinë, kishim po ashtu dhe gazetarë. Kishim një bashkëpunim shumë të mirë dhe me Ambasadën Holandeze në Tiranë. Tirana për këtë grup ishte një zbulim i ri.

Nuk munguan shkrimet për të zbuluar Shqipërinë. Në muaj hyjnë dhe dalin 4320 pasagjerë me këtë linjë ajrore Tiranë-Amsterdam, ka tre fluturime në javë, janë afërsisht 17 mijë pasagjerë që kanë udhëtuar në këto muaj. Linjat janë gjithmonë full dhe kompania po mendon ta shtrijë këtë linjë edhe gjatë dimrit. Holandezët po e shohin Shqipërinë edhe si destinacion fundjave, sepse fluturime ka të premten dhe të hënën në mëngjes ata mund të jenë në punët e tyre në Amsterdam. Bashkë me Bashkinë e Tiranës kemi folur për një “Tirana City Trip”. Kjo do të jetë e ardhmja e muajve shtator-tetor që nuk janë muaj plazhi, por për një holandez temperaturat tona konsiderohen verore.

Si e shohin holandezët Shqipërinë?

Ata tani na kanë zbuluar dhe po na njohin. Në holandisht ka një shprehje që thotë: “Kur nuk të njoh nuk të dua”. Unë mezi po pres që të dëgjoj feedback-un nga holandezë që kanë vizituar Shqipërinë. Kam marrë shumë emaile nga holandezë që kanë marrë pjesë në aktivitetet e ambasadës dhe më kanë nisur fotografi nga vizita e tyre në Shqipëri duke më shkruar: We love Albania!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme