Google ADS

Shkëndija U-19 dhe Vllaznia U-19 pjesë e Ligës së Kampionëve

19:29 | 23 Gusht 2017
Arbresh Info

Dy skuadra shqiptare, Vllaznia e Shkodrës dhe Shkëndija e Tetovës, do të jenë pjese Ligës së Kampionëve për të rinj, që njihet me emrin ‘UEFA Youth League’.

“Shpresat e Shkëndijës (U 19) si kampione të Maqedonisë kanë fituar të drejtën të jenë pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për të rinj që njihet me emrin ‘UEFA Youth League’. Kjo është hera e parë dhe historike që kuqezinjtë do të luajnë në grupet e një kompeticioni evropian”.

“Duke fituar titullin e kampionit në Superligën e Maqedonisë për të rinj, shpresat e Shkëndijës ishin në pritje të epilogut të disa ndeshjeve të ekipeve A në ‘play off’ të Ligës së Kampionëve, pasi UEFA pikërisht përmes koeficienteve të skuadrave që kualifikohen në grupet e Ligës së Kampionëve për të rritur fiton listën e ekipeve shpresa që do të luajnë në grupe. Kështu pas epilogut të takimeve të mbrëmshme u bë e ditur se Shkëndija përfundimisht fiton të drejtën për të qenë pjesë e grupeve të ‘UEFA Youth League’, ndërsa konfirmimi erdhi sot nga UEFA që përmes Federatës së futbollit të Maqedonisë njoftoi se Shkëndija U 19 si kampione e vendit do të jetë pjesë e fazës së grupeve”, thuhet në njoftimin e klubit tetovar.

Duke qenë se në këtë turne marrin pjesë skuadrat U 19 të të gjitha klubeve të kualifikuara në fazën grupore të Ligës së Kampioneve, si edhe një numër i caktuar ekipesh kampione në aktivitetet e kësaj grupmoshe në vendet e ndryshme në Evropë, Vllaznia dhe Shkëndija përcollën ndeshjet e Celticut dhe Olympiacosit.

Skocia dhe Greqia kishin vetëm një vend të garantuar në turne dhe akademitë e dy klubeve ishin kampionet në fuqi. Për t’ua lënë vendin Vllaznisë dhe Shkëndijës, duhej kualifikimi i skocezëve dhe grekëve, gjë që ndodhi duke i hapur rrugë përfshirjes së dy skuadrave shqiptare.

Shorti për fazën e parë eliminatore të turneut do të hidhet më datë 29 gusht dhe mes kundërshtarëve të mundshëm të skuadrave shqiptare, gjenden edhe emrat e klubeve, si Inter e Ajax.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme