Google ADS

Për produktet dhe shërbimet bazike, pritet zvogëlim i TVSH-së prej 8%

19:26 | 13 Mars 2015
Arbresh.info

Ministria e Financave ka propozuar që norma e TVSH-së prej 16 për qind të zvogëlohet në 8 për qind për mallrat elementare si buka, kripa , vaji e po ashtu këto ndryshime ligjore do të ndikojnë edhe në uljen e çmimeve të shërbimeve të ngrohjes, energjisë dhe ujit.

Të gjitha këto ndryshime, do të bëhen me qëllim të përmirësimit të ambientit për bërje biznes dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve.

Avdullah Hoti, ministër i Financave, ka prezantuar sot para përfaqësuesve të biznesit dhe shoqërisë civile ndryshimet ligjore të projekt ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), projektligjin për të ardhurat personale (TAP) dhe projektligji për Tatimi në të ardhurat e korporatave (TAK).

Ministri Hoti tha se “Normën prej 16 %  ta ulim në 8 % për mallrat elementare, për bukë , krip, vaj edhe për disa mallra dhe shërbime që kanë çmime të rregulluara që është energjia , ngrohja dhe furnizimi me ujë. Unë presë që kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikoj në standardin e jetesës sidomos të familjeve me të ardhura të ulëta pasi vlerësimet tona janë që të gjitha familjet që janë nën pragun e varfërisë dhe që janë me asistencë sociale gjysmën e të ardhurave të tyre mujore e shpenzojnë për këto mallra elementare. Do ta rrisim për 18 % për të gjitha mallrat e tjera”.

Ai po ashtu ka thënë se ndryshim tjetër shumë i madh do jetë heqja e TVSH-së të linjave të prodhimit të makinerisë prodhuese, e që kjo do të bëhet me udhëzim administrativ.

Sipas tij, do të ketë ndryshime edhe në ligjet mbi të ardhurat në korporata dhe në të ardhurat personale.

“Tek ligji për të ardhurat e korporatave, do i njohim si shpenzime të shkollimeve të trajnimeve të stafit, vlerën deri në 3 mijë euro. Por, përgatitjet e stafit që mund të bëjnë bizneset sponsorizimet, do njihen deri në 10 % të bazës tatimore. Kemi vendosur ta caktojmë një tatim 10 % në dividendë dhe në lojërat e fatit 10 %, dhe qiraja prej 9 % që ekziston të ndalet në burim për të menaxhuar më lehtë me këto të hyra buxhetore”, ka thënë Hoti.

Ministri tha se janë dy ndryshime kryesore që po i bëjnë në këtë Ligj, e që është ulja e pragut të TVSh-së prej 50 mijë në 30 mijë.

Ndërsa Nait Shatku, nga Administrata Tatimore, i cili është pjesë e grupit punues në ndryshimet ligjore, ka thënë se grupi punues i ka marrë parasysh të gjitha kërkesat e që sipas tij katër ndryshime janë në harmoni me programin e qeverisë, në reforma, në ekonomi dhe atë fiskale.

Ai po ashtu ka thënë se tashmë bizneset nuk do të presin deri në 12 muaj për tu ç’regjistruar. Nga 12 muaj, kjo procedurë do të përfundoj në nja afat prej 2 muajsh.

Ilir Islami, drejtor i departamentit ligjore për të ardhurat personale, po ashtu pjesë e grupit punues të ligjit, u shpreh se këto ndryshime në tre ligje do të heqin konfuzionet që janë krijuar tek bizneset dhe ata që kanë udhëhequr procesin.

“Nga të tre projektligjet është bërë harmonizim, që në të kaluarën ka pasur përkufizime për të njëjtën çështje, gjë që ka sjell shpeshherë edhe konfuzione jo vetëm tek tatim paguesit, por edhe tek ata të cilët e kanë mbikëqyrë procesin. Me këtë projektligj, personat fizik janë definuar shumë qartë”, ka thënë Islami.

Në ndër kohë, Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, ka mirëpritur ndryshimet ligjore e që ka thënë se kërkesat kanë qenë të kahershme. Sipas tij, më në fund do të vendosemi në hartën e investitorëve potencial, por natyrisht që duhet të krijohen parakushte, në mënyre që investitorët vendas të zgjerojnë afarizmin dhe investimet e tyre, dhe të krijojnë kushte për vende të reja të punës.

Këto propozim-ndryshime ligjore sipas zyrtarëve të ministrisë së financave, shumë shpejtë do të hartohen dhe procedohen në qeveri, e më pastaj në kuvend për miratim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme