A ia vlen Britania të ndjekë Trumpin mbi luftën në Afganistan?

13:13 | 23 Gusht 2017
Arbresh.info

Shkruan: Owen Jones

Testi i çdo deklarate të kundërt ndaj Donald Trumpit është se çfarë përgjigje do të vijë kur ai të fillojë lëshojë bomba ose të dërgojë ushtarë për të vdekur. Ka pasur nga ata që flisnin me tone të rënda për kërcënimet e Trumpit ndaj paqes në botë, duke nënkuptuar se ai ishte një Hitler amerikan, por u mor në sy të mirë sapo dha urdhrin për sulm ajror ndaj një aeroporti në Siri.

Tani ai ka zbuluar planet se do të dërgojë edhe më shumë ushtarë drejt ‘ferrit’ në Afganistan dhe kërkon që shembullin e njëjtë të ndjekë edhe Britania.

Lufta në Afganistan është monumentale dhe në krahasim me ‘baltinën’ më të njohur të Irakut, shumë pak është folur për fatkeqësitë atje. Më shume se 2,400 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën atje, ndërsa ushtarë të vdekur nga Britania janë mbi 450.

Joan Humphreys, e cila humbi nipin 24-vjeçar, Keith Elliott, ka thënë se lufta përfaqëson një ‘humbje totale të jetëve për britanikët, afganët dhe amerikanët’. Të gjitha familjet duhet të ishin krenare për djemtë e tyre, por shumë prej tyre mendojnë se ata kanë vdekur ‘për asgjë’.

“Ka qenë një konflikt i pakuptimtë”, thotë Ann McLaren, që humbi djalin e saj 20-vjeçar Scott. “Çfarë arritëm? Asgjë. E tërë kjo është një humbje kohe”.

Donald Trump mund të mos i marrë parasysh këta zëra, por shoqëria duhet. Presioni duhet të ushtrohet mbi qeverinë.

Rreziku se Britania po përfshihet sërish në luftën e Afganistanit është i vërtetë. Qeveria ka marrë një vendim strategjik për të mbështetur planin ‘ylli’ të Shtëpisë së Bardhë. Konflikti i dështuar i Britanisë në provincën Helmand ishte pjesë e “çmimit të gjakut”, siç e përshkroi me të vërtetë Tony Blair. Pas poshtërimit në Irakun jugor, qeveria britanike ishte e vendosur të theksonte vlerën e saj karshi administratës amerikane. Kjo nuk duhet të ndodhë sërish.

Konsideroni rezultatin e 16 viteve të përfshirjes së drejtpërdrejtë ushtarake  perëndimore në Afganistan. Qeveria e Kabulit kontrollon vetëm 57 për qind të vendit. Katër nga 10 afganë janë të papunë. Prodhimi i opiumit është rritur shumë që nga pushtimi perëndimor.

Në një raport të vitit 2014 zbulohet se Iraku dhe Afganistani i kanë kushtuar tatim paguesve në Britani rreth 26 miliardë pound dhe me ofenzivën britanike në Helmand, u rrit nxitja e prodhimit të opiumit.

Kujtoni se sa lehtë u premtua fitoja në vitin 2001. Vetëm një ‘kokëbosh’ do të besonte që Trump do të ketë sukses në këtë luftë, ku të tjerët kanë dështuar. Disa njerëz në mënyrë naive besuan se ai ishte një pëllumb në krahasim me Hillary Clinton, ndërsa në të vërtetë ai është një eksponent i zhveshur dhe më i sinqertë i imperializmit amerikan.

Një numër i madh i njerëzve nga Afganistani, Britania e Madhe dhe Amerika, tashmë kanë vdekur në këtë luftë të pakuptimtë. Ne nuk mund të pretendojmë të kthehemi pas në kohë dhe të ndalojmë këtë katrahurë, por mund të mësojmë nga ajo dhe të kërkojmë kthimin e ushtarëve britanikë nga fushëbetejat e përgjakshme të Afganistanit.

Përktheu: arbresh.info
Burimi: The Guardian

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme