Vangjel Çiko u ekzekutua në derën e shtëpisë, në sytë e gruas dhe vajzës ndërsa autorët, dy persona, ikën në drejtim të paditur! Vajza ka folur edhe ditën e djeshme për policinë, duke iu treguar se njëri nga autorët e krimit i kishte thirrur në emër të atit të saj, para se t`i drejtonte armën dhe t`i merrte jetën.
Ata janë larguar në drejtim të paditur të pa prekur nga askush, edhe pse policia si gjithnjë bëri me dije se kishte ngritur post-blloqe kudo nëpër Sarandë, por si gjithnjë janë shumë me vonesë për të kapur ndonjë person në kushtet e flagrancës.
Sipas të dhënave jo zyrtare që vijnë nga grupi hetimor mësohet se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë pasi ka dyshime që personat i kanë thirrur në emër për tu siguruar se është ai personi për të cilin ishin sjellë në atë lagje të largët të Sarandës. Nuk dihet se në çfarë dialekti ka folur autori i ekzekutimit të burrit 50 vjeç, por bëhet me dije se ai është larguar vetëm kur është siguruar se ai kishte vdekur, edhe pse në afërsi të të atit ka ardhur vajza, ndërsa bashkëshortja ishte në derën e shtëpisë duke e parë vrasësin.
Policia ditën e djeshme nuk ka bërë me dije asnjë të dhënë në lidhje me hetimet për vrasjen e kryefamiljarit Çiko, i cili la pas një grua me një vajzë dhe një djalë në burg nën akuzën e rëndë të vrasjes së mirditorit Aleksandër Bardhi, një vit më parë.
Jeta e mpleksur me drogë e protagonistëve
Historia që rrodhi pas vrasjes së burrit nga Mirdita në Sarandë nxori në pah një grup familjesh që duket që merreshin të gjithë me tregtinë e drogës, mbase si të vetmin mjet për të mundësuar jetesën në atë vend. Ndonëse policia nuk e pranoi asnjëherë se Aleksandër Bardhi u vra për shkak të një sasie lënde narkotike, u mësua se personat që më pas u arrestuan për vrasjen e tij, edhe pse në moshë të re ishin të gjithë me precedentë kriminal në fushën e trafikut të narkotikëve.
Kështu, i dënuar po për lëndë narkotike ishte edhe viktima e dy ditëve më parë, ndërkohë që i biri i tij dhe tre prej personave të tjerë të vënë nën akuzë për atë ngjarje të rëndë të shtatorit të një viti më parë janë të dënuar për trafik droge.
Njëkohësisht bëhet me dije se personi i shpallur në kërkim, të cilit në dhjetor të vitit të kaluar iu vra i ati, është i ndaluar në Greqi ku vuan dënimin për trafik narkotikësh. Pra, janë të dhëna të burimeve të besuara policore ku bëhet me dije se Albi Xhyzeiri, edhe pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Bardhit ai ka mundur të vijojë të kryejë transport të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë.
Kohëve të fundit, mësohet se ai kishte shërbyer si korrier në kufirin e gjelbër duke e dërguar më pas në Athinë ndërsa askush nuk di të thotë se përse nuk e arrestoi policia jonë dhe aq më tepër përse policia e shtetit nuk bëri asnjëherë të ditur se ishte i arrestuar në Athinë i riu, të cilit për hakmarrjen e tij dyshohet se iu vra i ati! Kështu viktima ishte një emër i njohur për policinë.
Vangjel Çiko është dënuar në vitin 2007 me 7 vjet burg, pasi në shkurt të 2006-s bashkë me një shokun e tij janë kapur në Konispol me 51 kg marijuanë. Në atë kohë, policia mundi të arrestonte vetëm shokun e Çikos, ndërsa ky i fundit u kap në muajin maj të po atij viti. Kurse djali i tij, Dhimitër Çiko, rezulton i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda pasi në qershor 2014, është kapur në ujërat e Ksamilit, i veshur si palombar, në tentativë për të trafikuar me not drejt Korfuzit 4 kg marijuanë që i kishte lidhur në këmbë.
Hakmarrja
Zinxhiri i hakmarrjes për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator 2016 në fshatin Shëndëlli të Sarandës, duket se nuk ka të sosur. Viktimë e radhës ka mbetur 50-vjeçari Vangjel Çiko, i njohur ndryshe me emrin “Gelo”. Ai u qëllua për vdekje mesnatën e së shtunës, teksa po parkonte mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” në oborrin e banesës së tij. Burime pranë uniformave blu bënë me dije se viktimës i ishte zënë pritë, ndërsa ekzekutimi ndodhi në sy të vajzës së 50-vjeçarit. Kështu, atentatori, që sipas dëshmisë së vajzës së viktimës ishte fshehur pas një peme ulliri, qëlloi me 6 plumba kallashnikovi mbi 50-vjeçarin, njëri prej të cilëve e preku atë midis buzës së sipërme dhe hundës.
Vajza e viktimës, e cila ka parë skenën e krimit nga porta e banesës, në gjendje të rënduar psikologjike ka treguar dje për oficerët e policisë se autori i ngjarjes u largua me këmbë drejt një automjeti që e priste aty pranë. Por, mjeti nuk u ndez dhe për këtë ai u detyrua të largohej me vrap përmes një rrugice. Ndërkohë që personi që ishte duke pritur atentatorin për ta larguar nga vendi i ngjarjes arriti të ndezë mjetin vetëm pak çaste më tej dhe u largua me shpejtësi prej andej. Sapo dëgjoi të shtënat, në oborrin e banesës doli edhe bashkëshortja e Vangjel Çikos, e cila sapo mësoi për lajmin e kobshëm pësoi një tronditje të rëndë.
Hetimet
Për policinë, pista kryesore në të cilën është duke u hetuar krimi që i mori jetën 50-vjeçarit, është ajo e hakmarrjes. Vangjel Çiko, është babai i 21-vjeçarit Dhimitër Çiko. Ky i fundit, së bashku me 19-vjeçarin Amarildo Lame dhe 21- vjeçarin Albi Xhezairi, akuzohen se më 24 shtator 2016, vranë 47-vjeçarin Aleksandër Bardhi, ngjarje e ndodhur në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Bardhi është vëllai i ish-kryeplakut të Shëndëllisë dhe ish-administrator i Kaçinarit në Mirditë, Petrit Bardhit.
Por, disa ditë më vonë policia vuri në pranga vetëm Çikon dhe Lamen, ndërkohë që Xhezairi vijonte të ishte në kërkim. Në 30 tetor 2016, babai i Albiano Xhezairit, Agroni, gjeti një sasi lëndë plasëse të llojit tritol të lidhur me celular në automjetin e tij. Bomba nuk arriti të plasë dhe më pas u çaktivizua nga forcat RENEA. Por paralajmërimi nuk do të mbetej me aq për të, pasi më 11 dhjetor 2016, 53- vjeçari Agron Xhezairi u vra në një pritë teksa po hynte në banesën e tij. Ai u qëllua me kallashnikov nga një distancë e afërt dhe mbeti i vdekur në vend, ngjarje kjo e cila ende nuk është zbardhur nga policia./arbresh.info/
Arioni surprizohet nga motra e tij në Big Brother, ja takimi...
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...