Google ADS

Nënë Tereza ishte motivim për Princeshën Diana

15:38 | 20 Gusht 2017
Arbresh.info

Janë zbuluar letra të Princeshës së ndjerë, në të cilat ajo tregon se si takimi me Nënën Terezë i kishte ndryshuar jetën, dhe se si Nëna Terezë e kishte inspiruar që të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Në letrat që janë zbuluar, Diana tregon se si Nënë Terezë dhe murgeshat i kishin ndihmuar të kishte zgjim shpirtëror në momentet e saj më të vështira.

Ajo kishte vizituar jetimoret në Kalkutë në vitin 1992, në kohën kur ajo kishte probleme të mëdha në martesën e saj me princin Charles.

Në një letër ajo ka thënë: “Sot diçka shumë e veçantë ka prekur jetën time. Kam vizituar shtëpinë e Nënës Terezë dhe kam gjetur rrugën të cilën kam kërkuar me vite”.

Shërbëtori personal i princeshës së ndjerë, Paul Burell, ka thënë se pas vizitës në Kalkutë, dhe pasi ka parë me sytë e saj fëmijë të sëmurë dhe në prag të vdekjes, ajo u bë më spirituale dhe fillojë të merrej më shumë me bamirësi.

Ai gjithashtu shtoi se ajo me Nënën Terezë tashmë kishin një lidhje të veçantë shpirtërore, dhe se puna e saj dhe përkushtimi i Dianës ndaj njerëzve në nevojë, ishin inspirim për shumë princesha tjera në glob, ka shkruar Mirror.

Diana kishte thënë se ajo as që mund t’i afrohej Nënës Terezë dhe punës së saj, dhe se ajo ishte shumë e vogël në krahasim me të.

“E vetmja gjë që mund të bëj është të shkoj me hapat e saj”, kishte thënë ajo.

Burell ka shtuar se Nëna Terezë i kishte dhuruar princeshës një palë rruaza të shenjta, dhe se kur kishte shkuar ta shihte Dianën në spital natën e aksidentit, kishte parë se Diana kishte vdekur me to mes duarve të saj./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme