‘Terminatori’ kritikon Trump-in dhe u dërgon mesazh neo-nazistëve

22:30 | 18 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Pas ngjarjeve të tmerrshme në Charlottesville, të shtunën e kaluar,  ku një protestues anti-racist humbi jetën dhe të paktën 19 të tjerë u plagosën,  Arnold Schwarzenegger i bëri një thirrje Donald Trump-it si dhe “neo-nazistëve, nacionalistëve të bardhë dhe neo-nacionalistëve”, në një video për ATTN.

“Nuk ekzistojnë dy anë të fanatizmit, nuk ekzistojnë dy anë të urrejtjes”, deklaroi ish-guvernatori i Kalifornisë duke kritikuar Trump-in se ai nuk kundërshtoi fuqishëm urrejtjen dhe racizmin pas ngjarjeve tragjike në protestë. Schwarzenegger tha se si president, ai kishte një detyrim moral të bëjë një gjë të tillë.

Meqenëse Trump nuk dërgoi një mesazh të qartë anti-racist, Schwarzenegger ofroi të shkruajë atë që ai mendonte se duhet të ishte komunikuar.

“Si president i Shteteve të Bashkuara dhe si republikan, hedh poshtë mbështetjen e supremacistëve të bardhë”, tha Schwarzenegger në fjalimin që do të kishte dashur ta kishte dëgjuar nga presidenti.

“Vendi që mposhti ushtrinë e Hitlerit nuk ka vend për flamuj nazistë. Partia e Lincoln-it nuk do të qëndrojë me ata që mbajnë flamurin e betejës të konfederatës së dështuar”, transmeton tesheshi. 

Më pastaj ai iu drejtua grupeve që përhapin urrejtje.

“Unë kam një mesazh për neo-nazistët, nacionalistët e bardhë dhe supremacistët. Më lejoni të jem shumë i sinqertë: ‘heronjtë tuaj janë të dështuar. Ju mbështeteni në një kauzë të humbur. Më besoni mua, unë e di kush janë nazistët realë. Unë kam lindur në Austri në vitin 1947, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe jam rrethuar nga njerëz të thyer. Njerëz të cilët ktheheshin nga lufta, të mbushur me shrapnel dhe ndjenjën e fajit, njerëz të cilët ishin të joshur nga një ideologji humbur. Unë mund t’ju them se këto shpirtra, të cilat ju i idealizoni, kaluan pjesën tjetër të jetës së tyre në turp. Dhe tani ata pushojnë në ferr’”, tha Schwarzenegger.

Ai shtoi se njerëzit nuk janë të lindur me urrejtje, as me qëndrime të tilla, dhe se beson se ato mund të ndryshojnë dhe të kuptojnë se të gjitha qeniet njerëzore janë njësoj të vlefshëm.

“Ju jeni shumë me fat që jetoni në një vend që ju jep të drejtën të thoni gjëra të tmerrshme. Megjithatë, konsiderojeni këtë si privilegj, se mund ta përdorni këtë për të bërë diçka të mirë”, tha Schwarzenegger.

Ai i ka dhuruar 100.000 dollarë amerikanë Qendrës Simon Viesental, një organizatë çifute ndërkombëtare që lufton për të drejtat e njeriut.

“Shpresoj se do të bashkoheni me mua dhe të dhuroni për organizatën time të preferuar që lufton urrejtjen”, tha ai.

Në Instagram ai ka publikuar edhe një foto të një bluze me mbishkrimin: “le ta shkatërrojmë urrejtjen’, duke aluduar në njërin prej filmave të tij më të famshmëm’ Terminator”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme