Daut Haradinaj: Ja pse nuk kandidova për kryetar të Deçanit

16:28 | 18 Gusht 2017
Arbresh.info

Deklaroi për të disatën herë se do të jetë kandidat për të marrë pozitën e të parit në Deçan. Por Daut Haradinaj së fundmi u dorëhoq nga gara për zgjedhjet lokale për t’ia lëshuar vendin Bashkim Ramosajt.

Thotë se do të jetë vetëm si deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e re. Derisa mohon se do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Deputeti i AAK’së Daut Haradinaj ka sqaruar të premten për Express arsyet për moskandidimin e tij në zgjedhjet lokale, si kandidat për ta fituar Deçanin.

Ai i cili do ta synojë këtë post është Bashkim Ramosaj, nga ku nesër edhe zyrtarisht do të kandidohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për t’i hyrë garës së 22 tetorit.

Haradinaj thotë se ky ka qenë një vullnet i tij dhe i gjithë strukturave të Aleancës që për Deçanin të garojë Ramosaj dhe jo ai.

“Është vullnet i përbashkët i imi dhe i gjithë strukturave të Aleancës. Me një dakordim edhe në nivelin qendror e atë lokal, Ramosaj ka marrë mbështetjen e të gjitha strukturave të Aleancës që të jetë kandidat i joni dhe kryetar i Komunës nga 22 tetori” tha Haradinaj derisa është shprehur i sigurt se fitorja do të jetë e tyre sikurse edhe në shumë komuna të tjera.

Haradinaj i cili e ka fituar edhe një mandat për të qenë pjesë e legjislaturës së re mohon në mënyrë kategorike se do të jetë pjesë e ekzekutivit nëse Qeveria Haradinaj arrin të formohet.

Ai thotë se do të shërbejë vetëm si deputet. “ Në asnjë mënyrë unë nuk jam dhe as që pretendoj të jem pjesë e ekzekutivit”, ka theksuar ai.

Aktualisht në Komunën e Deçanit kryetar është Rasim Selmanaj po ashtu nga partia e AAK’së.

Pas pesë seancave të dështuara të Kuvendit të Kosovës, më 24 gusht pritet që të provohet për të gjashtën herë nëse ka kuorum të mjaftueshëm për vazhdimin e seancës dhe nxjerrjes në votim të Kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve, formë kjo që mundëson konstituimin e Kuvendit.

Pas kësaj pritet që të ndodh edhe formimi i Qeverisë Haradinaj, gjithmonë nëse këta të fundit i kanë numrat për ta bërë atë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme