Sulmi në Barcelonë, Merkel: Terrorizmi nuk do të na mposhtë kurrë

12:51 | 18 Gusht 2017
arbresh.info

Gjermania qëndron në krah të Spanjës, në vendosmërinë e saj për të mos lejuar sulmet terroriste të marrin jetë njerëzish. Kështu është shprehur Kancelarja gjermane, Angela Merkel këtë të premte, në reagimin e parë pas sulmit të militantëve islamikë që vranë 13 persona në Barcelonë.

“Këto sulme vrastare na treguan edhe njëherë përzbusjen e madhe ndaj njerëzimit që sundon mes terrorizmit islamik, – shton më tej Merkel. – Jemi të gjithë të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos i lejuar këta kamikazë, që të na ndalin të jetojmë me stilin tonë të jetesës”.

Merkel shtoi se Barcelona, në veçanti, shquhet për tolerancë, bukuri dhe për takimet paqësore mes njerëzve të kulturave të ndryshme.

“Terrorizmi mund të na shkaktojë disa orë të hidhura dhe të tmerrshme, siç ndodhi së fundi edhe në Spanjë, por nuk mundet kurrsesi të na mposhtë”, thotë kryetarja e ekzekutivit gjerman.

Merkel njoftoi se ka folur me kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, për t’i shprehur ngushëllimet e popullit gjerman. Ajo tha gjithashtu se ka folur edhe me përfaqësuesit e partive të tjera në Gjermani, e së bashku kanë vendosur që të vijojnë fushatën zgjedhore përpara zgjedhjeve të 24 shtatorit, por duke hequr dorë nga muzika më zë të lartë dhe duke mbajtur minuta heshtjeje në mitingje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme