Nga Vehbi Kajtazi
Rrëfimi për komandantin e mirë – Emin Sopa dhe krimet e komandantëve të këqij.
Një kapelë të uniformës ushtarake gjermane vazhdoj ta ruaj tash e 18 vjet, bashkë me emrin, nënshkrimin dhe djersën e ballit të komandat Emin Sopës.
Kapelën e kam kujtim prej tij.
Me komandant Eminin isha miqësuar në prill të vitit 1999 në Krumë të Hasit të Shqipërisë. E takoja thuajse çdo ditë në një postbllok të Policisë Ushtarake të UÇK-së në hyrje të një rruge malore që gjarpëronte drejt fshatit Cahan.
Asokohe isha refugjat në Veri të Shqipërisë si mijëra shqiptarë tjerë të Kosovës. Mezi prisja të zbardhte dita që të largohesha nga shtëpia ku po strehohesha për të shkuar tek komandant Emini.
Në xhepin e trenerkave të arnuara mbaja një palë gërshërë dhe një krehër. Thuajse çdo ditë më binte të qethja nga një ushtar që bënin roje me ndërrime në postbllokun e UÇK-së.
Kishe edhe dy arsye shtesë për të shkuar tek komandant Emini. Ndonëse i mitur, kisha filluar të pija duhan tinëz familjes.
Komandant Emini nuk më linte keq.
Arsyeja tjetër për të shkuar tek komandant Emini ishin zërat që dilnin prej shatorrit të vendosur në atë luginë. Ushtarë dhe ushtare bënin shpesh seks brenda tij.
Sa shumë doja të isha ushtar ato momente – mendoja me vetën.
Edhe unë do të kisha bërë seks dhe do të kisha luftu kundër serbëve që më kishin dëbuar nga fshati dhe më kishin djegur shtëpinë.
Por, ëndrrën për t’u bërë ushtar ma kishte shuar disa javë më parë Fadil Demiri, një epror i lartë ushtarak i shkolluar në Akademinë e Zagrebit. Kisha dëgjuar se Fadili është në atë zonë komandant me ndikim. Besoja se do të mbante afër kur të futesha në UÇK. Ky besim me vinte për shkak se Fadilin e kisha familjar dhe bashkëfshatar.
Komandant Fadilin e kisha takuar në një kafene në Krumë të Hasit kur një mëngjes kisha vendosur të ikja nga shtëpia për t’ju bashkuar UÇK-së. I veshur me trenerkat e zakonshme dhe një kanatiere që nuk arrinte të mi fshihte kockat, kisha marrë guximin për t’ju afruar komandant Fadilit.
Pasi i isha prezantuar se kush jam, i kisha treguar se kishe dalë vullnetar për t’i bashkuar aradheve të UÇK-së dhe për të hyrë në Kosovë.
Sa vjeç je – më pyeti komandant Fadili.
17 – i them unë.
Shko në shpi se nuk kemi nevojë njëherë. Kur të kemi nevojë, unë të lajmëroi – ma ktheu komandant Fadili.
I dëshpëruar me refuzimin që kisha marrë, ishte larguar nga Kruma drejtë familjes sime atë ditë.
Ndërkohë, miqësinë me komandant Eminin e kisha trashur. Por, shumë pak pyetje guxoja t’i bëja.
Çka po runi k’tu – kisha marrë guximin tek pas një jave ta pyesja komandant Eminin.
I rujmë gazetarët mos me shku në zonat e UÇK-së – m’u kishte përgjigjur ai. Asnjë pyetje tjetër nuk i kisha bërë, ndërkohë që kureshtja me brente të dija më shumë.
Shumë vjet më vonë e kam kuptuar se në zonën e Cahanit të kontrolluar prej UÇK-së, ishte edhe një burg në të cilin mbaheshin shqiptarë e romë të dyshuar për bashkëpunim me armikun dhe aktivistë të LDK-së.
Sabit Geci kishte pushtet të pakontestueshëm mbi jetën dhe integritetin e tyre. Duke lexuar dëshmitë e viktimave dhe duke ndjekur proceset gjyqësore, kisha kuptuar se në atë zonë pos që luftohej për çlirimin e Kosovës, kryheshin edhe krime të sanksionuara me konventa ndërkombëtare dhe me ligjet në fuqi, për çka komandant Sabit Geci dhe vartës të tij tashmë janë dënuar me burg.
Miqësia me komandant Emin Sopën mu kujtua në detaje pas debatit që ngjalli deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi për komandantët profiterë dhe mbrojtja që u bëri atyre deputeti Labinot Tahiri: po mos të ishin komandantët, sot nuk do të flitej shqip në Kuvendin e Kosovës.
E vërtetë e pakontestueshme është konstatimi i Labinot Tahirit. Sikurse që është e vërtetë e pakontestueshme që pos mos të ishin komandantët, Kosova sot do të ishte shumë më e përparuar.
Po mos të ishin komandantët – përqindja e dhënies dhe marrjes së ryshfetit do të ishte shumë më e vogël se 10 për qind.
Po mos të ishin komandantët – qindra prona në Kosovë do t’u takonin pronarëve të vërtetë.
Pos mos të ishin komandantët – qindra njerëz të zhdukur dhe të vrarë pas luftës sot do të ishin të gjallë.
Po mos të ishin komandantët – objekti i hotelit Victory do t’i takonte shtetit gjatë gjithë kohës e nuk do të mbahej i uzurpuar nga këshilltari i Hashim Thaçit, Bedri Selmani.
Po mos të ishin komandantët – 40 pompat e benzinës së INA-s do të shfrytëzoheshin nga shteti e jo nga Bedri Selmani gjatë 15 vjetëve të pasluftës.
Po mos të ishin komandantët – dy objektet e mëdha brenda të cilave funksionon PDK-ja dhe AAK-ja do t’i takonin shtetit e nuk do të mbaheshin të uzurpuara.
Po mos të ishin komandantët – mbi 40 hektarë tokë e shtetit në dalje të Prishtinës do të privatizohej nga AKP-ja e nuk do të shitej e stërshitej nga Azem Syla dhe banda e tij.
Po mos të ishin komandantët – Islami, vëllai i komandant Rexhep Selimit nuk do të mbante të uzurpuar një pronë shtetërore tash e 18 vjet.
Po mos të ishin komandantët – Posta dhe Telekomi i Kosovës do të kishte vlerë rreth një miliard euro, e nuk do të ishte në prag të falimentimit.
Po mos të ishin komandantët Hekurudhat e Kosovës nuk do të ndalnin punën për shkak të mungesës së buxhetit, por do të hapeshin linja tjera të reja.
Po mos të ishin komandantët – KEK-u do të prodhonte energji të mjaftueshme dhe nuk do të na fuste panikun se brenda muajit ndal prodhimin.
Po mos të ishin komandantët – autostrada “Ibrahim Rugova” nuk do të kushtonte mbi një miliard euro.
Po mos të ishin komandantët – miliona të buxhetit të kësaj autostrade nuk do të shkonin në llogarinë bankare të vëllait të presidentit, Hashim Thaçi.
Po mos të ishin komandantët – diplomacia kosovare nuk do të mbeste në duart e një gjysmë analfabeti si Emanuel Demaj.
Po mos të ishin komandantët – grupi i Nazim Bllacës nuk do të festonte pas secilës vrasje.
Po mos të ishin komandantët – Bedri Krasniqi nuk do të vriste policë si Isuf Haklajn, Sabahate Tolajn, Arsim Rrustollin, etj.
Po mos të ishin komandantët – Bedri Krasniqi dhe grupi i tij nuk do të kidnaponin biznesmen si Azem Morina për të marrë haraç.
Po mos të ishin komandantët – Enver Sekiraça do të mbahej mend si njeriu që ka mbledh haraç e ka zhvatë njerëzit, e jo vartësit e komandantëve.
Po mos të ishin komandantët – nuk do të ndodhin të gjitha ato vrasje në rajonin e Dukagjinit.
Po mos të ishin komandantët – sot gruaja e Idriz Balës do ta kishte këmben që e humbi në një atentat kundër burrit të saj komandant.
Po mos të ishin komandantët – Xhabir Zharku nuk do të detyronte njerëz që të hiqnin dorë nga pronat e tyre për t’ia dhënë një pjesë grupeve kriminale.
Pos mos të ishin komandantët – Adem Grabovci nuk do të ishte milioner dhe faktor që përcakton të ardhmen e shumicës.
Po mos të ishin komandantët – sot nuk do t’i kishim 56 mijë veteranë, por 17 mijë sa janë realisht.
Po mos të ishin komandantët – sot do të kishte më pak krim. Më pak vrasje të pazbuluara. Më pak korrupsion. Më pak haraç. Më pak uzurpime. Më pak kompani buzë falimentimit. Më shumë të punësuar. Më shumë mirëqenie.
Po mos të ishin komandantët – sot do të lëviznim pa viza si të gjitha shtetet e rajonit.
Po mos të ishin komandantët – sot nuk do të ekzistonte fare Gjykata Speciale.
Po mos të ishin komandantët – nuk do të kishte kaq shumë urrejtje për ta. Sepse pjesa më e madhe e komandantëve kryesor i kanë shkaktuar aq dëm Kosovës, sa edhe mos të bënin dëme tjera, do na duhen edhe 20 vjet për t’i riparuar ato.
Pavarësisht kësaj, vazhdoj ta ruaj me admirim kapelën dhuratë të komandant Emin Sopës. Dashurinë dhe respektin për të, ani se nuk e di më së ku ndodhet ai. Nëse është gjallë, apo është bërë si komandantë tjerë.
(Autori është kryeredaktor në Gazeta Online Insajderi.com)
______________________________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...