Google ADS

“Koreja Veriore motorët e raketave i ka blerë në Ukrainë”

10:55 | 15 Gusht 2017
Arbresh.info

Koreja Veriore ka arritur sukses në testimin e raketave balistike interkontinentale duke iu falënderuar blerjes së teknologjisë ushtarake nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik në tregun e zi.

Armatimi besohet të jetë blerë nga një fabrikë ukrainase, thuhet në analizën e Institutit ndërkombëtar për studime strategjike dhe vlerësimeve të besueshme nga agjencitë e inteligjencës së SHBA-ve.

Koreja Veriore është furnizuar në tregun e zi me motor të fuqishëm të raketave, gjë e cila i ka mundësuar asaj që të kryejë disa teste në korrik, të cilat mund të arrijnë në territorin amerikan, thuhet në konkludimin e studimit nga Instituti ndërkombëtar për studime strategjike, shkruan “New York Times”.

Ekspertët, të cilët kanë analizuar fotografinë e liderit të Koresë Veriore Kim Jong-Un se si shikon motorët e ri të raketave, konkluduan se ato vijnë nga ish-flota e dikurshme raketore sovjetike. Motorët e tillë janë aq të fuqishëm sa vetëm një raketë mund të bartë 10 koka termo-nukleare ndërmjet kontinenteve.

Ekspertët amerikanë besojnë se motorët RD-250 kanë origjinë nga fabrika e raketave Juzhmash në qytetin ukrainas Dnjepër, e cila gjatë Luftës së Ftohtë ka prodhuar raketat më vdekjeprurëse në arsenalin sovjetik dhe ka mbetur njëra nga furnizuesit kryesorë rusë edhe pas ndarjes së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Analiza konfirmon atë që zyrtarët e inteligjencës e thonë që sa kohë, se raketat e reja të Koresë Veriore janë të bazuara në teknologji komplekse, e cila dëshmon se ky vend nuk ka mund të arrijë një përparim kaq të madh brenda një kohe të shkurtër, nëse nuk do të blinte dizajnin, harduerin dhe ekspertizën në tregun e zi.

Ekspertët amerikanë thonë se nuk ka fakte se qeveria ukrainase ka qenë në dijeni ose të ketë pasur kontroll mbi zhvillimet në kompleksin Juzhmash. Arritja e motorëve të raketave RD-250 në Korenë Veriore mbetet ende mister, shkruan “New York Times”.

Raportimet e para bëjnë me dije se motorët nga fabrika ukrainase kanë arritur në Korenë Veriore në shtator të vitit të kaluar, kur lideri veri-korean Kim Jong-Un kishte vëzhguar testin e motorit të ri raketor.

Analisti gjerman Norbert Brige ka zbuluar se motori kishte shumë ngjashmëri me modelin RD-250 nga fabrika ukrainase./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme