Google ADS

Stacioni i Autobusëve të Prizrenit hap dyert për artin bashkëkohor

20:30 | 14 Gusht 2017
Arbresh.info

Autostrada Biennale në edicionin e parë të titulluar ‘’E Ardhmja e Kufijve’’, terminalin e autobusit do ta ketë vendtakim të artistëve, puna e të cilëve trajton politikën e mobilitetit, refugjatët, dislokimin e pakicave, migrimin, shkëmbimin kulturor, pakufishmërinë e imagjinatës, luftën, kufijtë gjinor, kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën bashkëkohore publike.

Autobusët janë një nga automjetet kryesore publike moderne, ato përdoren për të transportuar masën ndërmjet pjesës rurale dhe urbane, mes qyteteve të mëdha dhe të vogla, në të gjithë kufijtë kombëtarë dhe rajonal. Ky aspekt masiv, së bashku me qasjen e tij të përhapur në territore me nivele të ndryshme të modernizimit, i bën autobusët një fokus qendror kur bëhet fjalë për të ardhmen e kufijve. Imigrimet, refugjatët, pakicat shpesh duhet të mbështeten në autobusë për arsye të lehtësirave që sjellin me kosto të ultë dhe përhapje që kanë ato, transmeton KosovaPress komunikatën e dërguar nga autostrada biennale.

Pra, nëse Autostrada është thelbi infrastrukturor i mobilizimit masiv modern, atëherë autobusët janë shprehje publike e rrugëve moderne.

Artistë pjesëmarrës në ekspozitë janë: Valentina Bonizzi (Itali), CHANG Chien-Chi (Tajvan), Libia Castro (Spanjë) & Ólafur Ólafsson (Islandë), Irëin (Slloveni), Alban Muja (Kosovë), Rena Rädle (Gjermani) dhe Vladan Jeremić (Serbi), Ella Raidel (Austri) , Oliver Ressler (Austri), Saso Sedlacek (Slloveni), Alketa Xhafa (Kosovë). Veprimtaritë e këtyre artistëve mbulojnë media të ndryshme duke filluar nga fotografitë, videot, vizatimet, posterët, robotët interaktiv dhe performancat.

Nga 19 Gusht deri më 23 Shtator, këto vepra të artit do të ekspozohen: në dhomën e pritjes së stacionit, kafene të mëdha, zyre, fasada, tek hapësira në natyrë, si dhe në sallën legjendare të dasmës. Pritja e hapjes së Autostradës Biennale do të mbahet me 19 gusht në mbrëmje tek Stacioni i Autobusëve.

Si vendtakim për ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, do të përdoren zona të ndryshme të qytetit të Prizrenit me trashëgimi kulturore. Duke qenë qendër e mobilizimit masiv, stacioni autobusëve do të jetë pikënisja e ekspozitës me titull “E ardhmja e kufijve”.

Një histori e shkurtër e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit:

Stacioni i parë i autobusëve në Prizren ishte e vendosur tek Posta, ndërsa në vitin 1960 ai u zhvendos në vendin ku gjendet edhe sot. Themelet e para të stacionit aktual të autobusëve u vendosën në vitin 1978 dhe në vitin 1981 ai u hap për publikun. Stacioni i autobusëve gjithashtu kishte një sallë dasmash ku organizoheshin dasma dhe ahengje të ndryshme. Gjatë tendencave të privatizimit në periudhën e pas-Jugosllavisë, stacioni i autobusëve ishte përjashtuar nga lista dhe deri më tani funksionon si objekt publik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme