Superkupat, Juve-Lazio dhe “El Clasico” spanjolle

11:45 | 13 Gusht 2017
Arbresh.info

Ende pa nisur mirë sezoni futbollistik në kampionatet evropiane, Superkupat japin shijen e parë të spektaklit që pritet të vijë.

Kjo e dielë rezervon ditën e trofeve të rëndësishëm në Itali dhe në Spanjë. Në orën 20:45, në stadiumin “Olimpico” të Romës, Juventusi dhe Lazio do të kenë vetëm një ndeshje për të vendosur se kush prej tyre do të ngrejë lart superkupën, që rikthehet në “Apenine” pas 3 vitesh eksod.

“Zonja e vjetër” do të ketë ndryshime krahasuar me sezonin e kaluar, me mbrojtjen që mbetet për t’u parë sesi do të performojë pas largimeve të Bonuccit dhe Dani Alves. Juventus pritet të ketë një formacion sulmues, me Higuain që do të udhëheqë sulmin dhe me Dybala, Mandzukiç dhe Douglas Costa pas krahëve.

Në kampin tjetër, Lazio pritet të ketë në portë shqiptarin Thomas Strakosha, talenti kuqezi që ka fituar përmes punës dhe durimit vendin e tij mes shtyllave te bardhekaltrit.

Në Spanjë, Barcelona do të presë Realin e Madridit, në betejën e parë nga dy të tilla që rezervon Superkupa iberike.

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde do të provojë për herë të parë atmosferën e një “El Clasico”-je si protagonist, pasi përballja para një muaji në Miami mes katalanasve dhe kryeqytetasve ishte vetëm një miqësore.

Dy gjigantët nuk janë përballur që prej vitit 2012 në një kompeticion zyrtar, në kohën kur ishte Reali asokohe që ngrinte trofeun. Me Neymarin tashmë një kapitull të mbyllur në histori, klubi blaugrana ka varfëri në repartin sulmues. Deulofeu dhe Paco Alcacer janë të vetmit që mund t’i bashkohen Messit dhe Suarezit në sulm, në një skemë 4-3-3 që trajneri do ta mbajë si paraardhësi i tij, Luis Enrique.

Në kampin tjetër, Reali i Madridit vjen nga fitorja ndaj Manchester United në Superkupën e Europës, me optimizmin maksimal. Por ekipi “merengues” do të duhet të bëjnë në fushë pa kroatin Luka Modriç, i cili është i pezulluar. Kovaçiç dhe Dani Ceballos janë alternativat për sfidën e “Camp Nou”-t, që nis në orën 22:00./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme