Google ADS

Trepça’89 e fiton Superkupën me goleadë

19:16 | 12 Gusht 2017
Arbresh Info

Skuadra kampione, Trepça’89 e ka fituar me goleadë Superkupën e Kosovës, pasi në ndeshjen e zhvilluar në Gjilan, e ka mposhtur skuadrën fituese të Kupës së Kosovës, Besën, me rezultat bindës, 5:0.

Trepça’89 pati një paraqitje shumë të mirë, sidomos në pjesën e dytë, në të cilën dominoi plotësisht ndaj skuadrës pejane, e cila po kalon në një periudhë të vështirë në prag të edicionit të ri të garave në Vala Superligë.

Trepça’89 kaloi në epërsi në minutën e 43-të, me golin e shënuar nga Henry Chibueze. Më herët në minutën e 22-të Shpëtim Idrizi e qëlloi traversen e portës pejane.

Epërsinë në 2:0 e shtoi Shpëtim Idrizi në minutën e 57-të, kur shënoi me kokë pas harkimit të Chibuezes.

Më pas serinë e golave e vazhduan Arbnor Muja, në minutën e 78-të, Florent Hasani në minutën e 85-të dhe Oto John, në minutën e 90-të.

Medaljet për skuadrën e Besës i shpërndau anëtari i KE të FFK-së, Bekim Rexhepi, derisa medaljet për skuadrën fituese, Trepça’89, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Në fund, trofeun e Superkupës kapitenit të Trepçës’89, Shpëtim Idrizi ia dorëzoi nënpresidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme