Dita e djeshme ishte një ditë zie për ish-kryeministrin Sali Berisha pasi motra e tij e vetme Hajrie Osmani ndërroi jetë.
Ish-kryeministri gjithmonë është shprehur me vlerësime të mëdha për motrën e tij, shpesh herë duke e quajtur një mbretëreshë.
Kjo konfirmohet edhe në një ndër intervistat e rralla që Hajrie Osmani-Berisha ka dhënë në vitin 2010 për gazetaren Valentina Ramadani.
Ajo thoshte “unë jam krenare që jam motra e Sali Berishës, qoftë Kryeministër, kryetar i PD-së, President, apo një qytetar i thjeshtë.
Për mua ai është dhe mbetet vëllai më i mirë në botë, sepse është i tillë. Një njeri i dashur, i respektuar, që përpiqet të të ndihmojë, por mbi të gjitha ai është i drejtë. Ndaj siç më ka ndodhur që të dëgjoj njerëz që e shajnë, më kanë takuar edhe njerëz që e duan”.
“American Eye” sjell më poshtë disa pasazhe të intervistës të Hajrie Osmanin dhënë për gazetaren Valentina Ramadani në vitin 2010 në gazetën “Standard”.
Jo rrallë z. Berisha nuk ka mundur të fshehë debulesën për motrën e vetme, qoftë dhe në mënyrë publike, duke thënë se ju e keni mbajtur shumë afër atë kur ishte i vogël. Kjo besoj ju sjell në mend kujtimet e asaj kohe?
Saliu është 5 vjet më i vogël se unë dhe si i tillë, kujdesesha shumë për të. Përherë më ka thirrur dadë, edhe sot më thërret kështu. Kur isha 7 vjeçe dhe ai 2 vjeç, mbaj mend që e përkundja shumë në djep, edhe për t’i ardhur në ndihmë nënës sime e cila lodhej shumë, qoftë me fëmijët, qoftë me punët e shtëpisë.
Pastaj kur Saliu filloi të rritej pak nga pak e merrja (kalistraf), hopa në shpinë pasi e merrte gjumi pranë oxhakut, unë e çoja lart në dhomën e gjumit, në krevat. Kishte shumë qejf kur e mbaja në shpinë.
Dhe e mbaja aq shumë, saqë njëherë kur po punoja punë me grep, kisha harruar krrabzat (grepat) në qafë dhe teksa e kisha hipur në shpinë Saliun e vogël, desh i verbova sytë. Nga frika se mos e bëra një gjë të tillë, bërtita me të madhe sa erdhi nëna dhe e trembur pyeti çfarë ka ndodhur. Por u gëzuam të dyja kur pamë që vëllai i vogël kishte shpëtuar nga sytë për mrekulli.
Si shkonte me mësimet në shkollë?
Jashtëzakonisht shumë mirë. Bashkë me Saliun mësonim në shkollën e Tropojës së vjetër. E kishim shumë afër nga Viçidoli. Shkonim bashkë dhe ktheheshim bashkë. Merresha me detyrat e tij, por nuk më lodhte kurrë, sepse kishte vullnet për të mësuar.
Çfarë të befasonte tek ai në atë moshë?
Nuk kisha nevojë t’i thosha hajde dhe të bëjmë detyrat apo të lexonte. Në të shumtën e kohës i merrte ai i pari librat dhe më thërriste mua, ndërsa bëja edhe ndonjë punë në shtëpi. Pastaj kur u rrit, ndryshoi zakon.
Nëna kulloste bagëtinë tutje nga fshati dhe Saliu sapo vinte nga shkolla, nuk e hiqte çantën e librave, por vinte në shtëpi kërkonte bukë dhe nuk hante brenda. Ai e merrte bukën me vete, e hante rrugës, merrte çantën e shkollës mbi shpinë dhe ikte me vrap tek nëna që ta ndihmonte për të ruajtur bagëtinë. Njëkohësisht mësonte dhe librat.
Më thoni diçka që e bënte më të dallueshëm nga bashkëmoshatarët e tij?
Ishte shumë kureshtar dhe kishte një vullnet të çuditshëm për gjërat. Ndonëse kishte pikë të dobët nënën, Saliu rrinte shumë kohë me babën, dhe atë e “bombardonte” me pyetje. E pyeste për gjithçka dhe baba kishte durim të paparë me të. I tregonte dhe i mësonte gjithçka.
Im atë ishte një burrë i zgjuar, lexonte shumë, mbante libra dhe romane nëpër arka druri në shtëpi. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për Saliun që të ecte përpara. Ata të dy ishin shumë të lidhur bashkë. Leximi u përcoll dashur pa dashur edhe tek Saliu i vogël. Ka pasur shumë gojë, domethënë orator dhe mbi të gjitha i etur për të mësuar sa më shumë gjëra që në moshë të njomë. Ka qenë dhe i papërtueshëm. Çfarëdo gjëje që t’i thoshim për ta bërë, ai nuk hezitonte, e bënte.
Çfarë i pëlqente më shumë, cilën nga lëndët e shkollës e hapte me më shumë dëshirë?
Kishte qejf të lexonte dhe i pëlqente leximi. Por edhe vjershat. Mbante mend shumë. Kishte dhe ka kujtesë shumë të fortë. Më kujtohet një ditë kur erdhi nga Boka (vend kullote për bagëtitë) me nënën, ndërsa po hiqte çantën nga shpina, filloi të recitonte vjershën e Oso Kukës.
Dhe recitimi i tij zgjati, pasi vjersha ishte shumë e gjatë. E kishte mësuar në klasë dhe pasdite e përsëriste në shtëpi. E recitonte nëpër oborr, hynte dhe dilte atë ditë me “Oso Kukën” në gojë. Kishte një kujtesë që na befasonte të gjithëve. E kishte mësuar përmendësh teksa ruante bagëtinë.
Pastaj ne kishim një gjë, detyroheshim të mbaronim detyrat shpejt dhe mësimet, pasi në darkë errësohej dhe në atë kohë nuk kishte drita. Shikonim vetëm me kandil.
Ka qenë fëmijë i rrëmbyer, nevrik?
Jo aspak. Ishte shumë i shtruar dhe merrte vesh të mëdhenjtë çfarë i thoshin. Kureshtar për të mësuar çdo gjë. E vetmja gjë që e bënte me nerva, nëse mund të thuhet kështu, ishte kur dëgjonte për ndonjë hajdut që vidhte. I “urrente” në njëfarë mënyre ata që preknin gjënë e tjetrit.
Më tregoni një rast…
Po. Kur Saliu ishte student, një shoku i tij kishte vjedhur në konvikt dhe ishte bërë një problem i madh, pasi drejtuesit e fakultetit donin që t’i jepnin një “ndëshkim” pasi kishte vjedhur.
Ndaj mblodhën disa studentë të konviktit për të marrë mendimin e tyre ndaj shfaqjes së ulët të studentit. Mes tyre ishte edhe Saliu dhe ai nuk e ka mbrojtur, sepse nuk i duronte dot hajdutët. Dhe kur erdhi për pushimet e verës, Saliu na e tregoi si rast, pasi i kishte bërë shumë përshtypje sjellja e studentit dhe ndonëse kishte dashur që ai të mos ndëshkohej, nuk e kishte mbrojtur. Hajdutëria ishte ajo që e nervozonte më tepër Saliun.
Çdo fëmijë ka të mirat dhe të metat e veta. Ju kujtohet ndonjë e metë që shfaqte Saliu i vogël?
Nuk mund të them të meta, pasi Saliu vërtet ishte një fëmijë i mbarë. Por nganjëherë ngacmohej me fëmijët në shkollë, sepse kishte dhe nga ata që e bezdisnin, sepse nuk kishin mendje për të mësuar, kurse Saliu donte vetëm të mësonte.
E thërrisnin për të luajtur pas mësimit, por vëllai im nuk para luante. Vinte në shtëpi me vrap dhe nxitonte tek nëna për ta ndihmuar, duke marrë librat me vete. Por kjo gjë i shqetësonte shokët e tij, të cilët këmbëngulnin që ai të luante me ta të nesërmen dhe refuzimi çonte nganjëherë dhe në zënka fëmijësh.
Kur nisi studimet e larta, a u ftohën marrëdhëniet motër-vëlla?
Jo nuk u ftohën, përkundrazi u bë një marrëdhënie më e fortë, ndonëse Saliu vinte më rrallë në shtëpi dhe në atë kohë kishte shumë pak mundësi komunikimi. Lidhja jonë nuk cenohej nga largësia kurrsesi.
Në moshën e fëmijërisë së tij, ju u kujdesët shumë për të. Por kur Saliu u rrit, a bëri siç duhet rolin e vëllait?
Saliu përherë ka qenë një vëlla i dashur për mua. Kur doli me rrogë më bënte shumë dhurata. Më blinte gjëra. Por edhe më çonte lekë nga Tirana. Më kujtonte shpesh dhe jam e bindur se këtë gjë ai e bënte si një lloj kujdesi tashmë ndaj meje. Ndoshta kishim ndryshuar pozicionet. (qesh)
Kujt i ngjan më shumë Saliu dhe a e kishit menduar ndonjëherë se ai mund të ishte njeriu më i pushtetshëm i Shqipërisë?
Saliu nga pamja ngjet më shumë nga nana, kurse me tip i ngjan babës. Ai ishte shumë i zgjuar, siç ishte dhe mixha Zeqiri, (xhaxhai). Të dy kishin emër shumë të mirë në Malësinë e Gjakovës. Saliu i donte shumë dhe ata e kanë mbajtur shumë afër. Ka mësuar shumë prej tyre.
Ndërkohë që Saliu ishte fëmijë shumë i shkathët dhe shumë i zgjuar. Nuk mund të them se e çonin ndonjëherë ndërmend se ai do të bëhej i famshëm, por zgjuarsia e tij që në moshë të vogël, na bënte optimist ne të familjes, se shumë shpejt ai do të ishte dikush në jetë. Realisht ashtu ndodhi.
Si u “injektua” tek Sali Berisha besimi ndaj Zotit?
Të dy prindërit e mi kanë qenë besimtarë. Në mënyrë të veçantë baba, i cili kishte lidhje të hershme me hoxhë të shumtë që kishin studiuar apo qëndruar në Turqi. Madje edhe në kohë të monizmit baba i falte pesë vaktet.
Mbaj mend, kemi qenë fëmijë të vegjël dhe ai na mblidhte të tre ne fëmijëve dhe na fliste për Zotin. Këtë dashuri thoshte duhet ta mbani në zemër, t’i lutemi për të qenë njerëz të pastër në jetë, të ndershëm, që mos të prekim kurrë gjënë e tjetrit. Të gjitha porositë e tij mbetën në mendjen tonë.
Gjatë këtyre 18 viteve që vëllai juaj është në politikë, a keni përfituar prej tij?
Jo. Nuk do t’ia lejoja vetes një gjë të tillë. I vetmi favor dhe që i kam rënë shpesh Saliu në qafë ka qenë me ndihmën si doktor. Shumë të njohur, por edhe të panjohur, kanë ardhur tek unë dhe më kanë thënë që të flas me Saliun që t’i ndihmojë me ndonjë rekomandim për shëndetin e tyre tek mjekë të njohur të Tiranës. Pra për vizita mjekësore.
Dhe për këtë unë i jam drejtuar Saliut edhe Lilit, dhe të dy më kanë ndihmuar për çdo hall të njerëzve që u kam thënë. Ky ka qenë favori i vetëm që kam kërkuar nga im vëlla.
Ju ka ndodhur që të dëgjoni njerëzit duke e sharë, apo kritikuar Saliun dhe si jeni ndjerë? Si keni reaguar në raste të tilla?
Më ka ndodhur. Rasti i fundit është para pak ditësh. Shkova në dyqan që të bëja pazar dhe shitësja kishte të ndezur televizorin. Në ato momente ishte një kronikë lajmesh ku fliste Saliu për luftën kundër korrupsionit.
Në çast hyn një grua, goxha në moshë dhe sapo e sheh në televizor Saliun reagon shumë keq duke thënë: “Po po ky do e luftojë korrupsionin, asnjë gjë s’ka për të bërë, ja fut kot me këto që flet”. Shitësja që e dinte që unë isha motra e Kryeministrit, pa direkt nga unë, por nuk fola.
Përkundrazi, ktheva kokën anash dhe nuk ia hodha sytë gruas që fliste për Saliun. Unë nuk reagoj. Është mendim i tyre dhe s’kam si të kundërpërgjigjem ashtu siç nuk ndërhyj tek Saliu për këto çështje. As nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë sa kohë ai është në politikë.
Megjithatë, raste të tilla pakënaqësie nuk ju fshehin dot krenarinë e të qenit motra e Kryeministrit të vendit…
Unë jam krenare që jam motra e Sali Berishës, qoftë Kryeministër, kryetar i PD-së, President, apo një qytetar i thjeshtë. Për mua ai është dhe mbetet vëllai më i mirë në botë, sepse është i tillë. Një njeri i dashur, i respektuar, që përpiqet të të ndihmojë, por mbi të gjitha ai është i drejtë. Ndaj siç më ka ndodhur që të dëgjoj njerëz që e shajnë, më kanë takuar edhe njerëz që e duan.
Madje, kanë ardhur dhe më kanë dhënë dorën duke i uruar që të jetë me sa më shumë jetë, sepse tek ai shohin udhëheqësin e duhur. Por asnjëherë nuk kam ndenjur në të madh se jam motra e tij.
Madje, para dy viteve, vjen tek shtëpia jonë një punonjës i ujësjellësit dhe pyeste për gjendjen e ujit, pasi zona jona ka probleme me ujin e pijshëm. Ai takoi dhëndrin tim dhe teksa po më pyeste, nuk e dinte se isha motra e Kryeministrit. Më pyeti: Nga të kemi moj nëne? I thashë thjesht që jam nga Tropoja. Më pas ai vijoi: qenke nga vendlindja e Kryeministrit.
Dhe që mos të mburresha i thashë që “patriot e kam, demokrate e flaktë jam”. Ai qeshi teksa po shikonte edhe nga shtëpitë e fqinjëve për ujin. Më pas i tregoi dhëndri, Feriti dhe punonjësi i ujësjellësit u kthye edhe njëherë nga oborri jonë teksa më tha: “Të fshehtë e mban përherë që je motra e Berishës…”?
Kam një kuriozitet që dua të mësoj nga ju. Si ka mundësi që vëllai juaj edhe në moshën 64 vjeç e ka shikimin shumë të qartë dhe nuk përdor syze?
Saliu i ka ngjarë babës. Ai ka vdekur në moshën 83 vjeç dhe pa pasur nevojë kurrë të vërë syze. Geni i tij është përcjellë tek Saliu. Është e vërtetë që sheh shumë mirë. Në kohën kur ishte gjallë baba, mbaj mend që bënte garë me nipat dhe mbesat se kush lexonte më shpejt dhe më mirë. Dhe këtë ai e bënte pa pasur nevojën e syzeve. /albeu.com/
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...